Moti ekstrem nëpër botë

Shumë shtetet të botës, gjatë muajit korrik janë përballur me një mot ekstrem dhe shumë fatkeqësi tjera natyrore. Përmbytje, zjarre të pakontrollueshme dhe thatësi, janë disa nga kushtet atmosferike që e kanë përfshirë mbarë globin, raporton gazeta britanike Telegraph.

Pjesë të Gjermanisë janë prekur nga përmbytjet të cilat kanë sjellë dëme të mëdha. Rreth 1300 persona ende janë të zhdukur në Ahrweiler, distrikt i Rhineland-Palatinate.

Ekipi i shpëtimit nxitoi të ndihmonte personat të cilët ishin ngujuar në shtëpitë e tyre, si pasojë e shembjes së dheut që shkaktoi të hapej një gropë përmbytjesh në qytetin e Erftstadt, në jugperëndim të Koln-it.

Belgjika po ashtu përjetoi përmbytje ekstreme. Rebecca Rosman, gazetare e Telegraph, ka raportuar nga Belgjika duke thënë “Humbje jetësh, dëme të mëdha dhe shkatërrime, ka pësuar shteti belg si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut”.

Në Holandë lumenjtë që kishin dalë nga shtrati detyruan që shumë nga banorët  e provincës së Limburg-ut, të evakuojnë shtëpitë e tyre.

Ishulli i Qipros është përballur me “stuhi zjarresh” gjatë muajit Korrik. Ekipet e kërkim – shpëtimit zbuluan katër trupa të djegur ditën e së dielës.

“Ky cilësohet njëri prej zjarreve më të rëndë që ka pasur ndonjëherë ishulli i Qipros”, ka thënë Charalambos Alexandrou, drejtori i departamentit të pyjeve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përballur si me mot të thatë, po ashtu edhe me përmbytje. Pjesët perëndimore si Kalifornia përkatësisht Pylli Kombëtar i Plumas, u përfshinë nga zjarret që dogjën 4,022 kilometra katrorë tokë.

New York ishte goditur nga stuhia tropikale “Elsa”. Qytetarët shiheshin duke ecur nëpër rrugë të mbushura me ujë, niveli I të cilit kishte arritur deri në brez.

Qyteti Rize i Turqisë u përball gjithashtu me përmbytje. Mirëpo shteti turk përjetoi edhe një valë zjarresh që e kishin kapluar Aydincik, në distriktin e Mersin-it.

Temperaturat e larta prej 49.6C u shënuan në Lytton, Kanda në fillimin e muajit korrik. Shumë shtëpi e ndërtesa u shkatërruan pasi që zjarri përfshiu qytetin në malet e British Columbia. Disa nga banorët u detyruan që të evakuonin shtëpitë e tyre.

Përkthyer nga Ilirjana Hoti – KALLXO