Mos iu frikësoni rënies së Putinit

Fitore për Ukrainën, Demokraci për Rusinë!

Regjimi i presidentit rus Vladimir Putin po jeton në një kohë të huazuar. Vala e historisë po kthehet dhe gjithçka, duke filluar nga progresi i Ukrainës në fushëbetejë, deri tek uniteti dhe vendosmëria e qëndrueshme e Perëndimit përballë agresionit të Putinit, tregojnë se viti 2023 do të jetë një vit vendimtar. Nëse Perëndimi qëndron i vendosur, regjimi i Putinit ka të ngjarë të shembet në një të ardhme të afërt.

Megjithatë, disa nga partnerët kryesorë të Ukrainës vazhdojnë t’i rezistojnë furnizimit të Kievit me armët që i nevojiten për t’ia dhënë nokautin e fundit Rusisë. Administrata e Presidentit të SHBA Joe Biden në veçanti duket e frikësuar nga kaosi që mund të pasojë pas një humbjeje vendimtare të Kremlinit. Administrata e Biden ka refuzuar të dërgojë tanke, sisteme raketore me rreze të gjatë veprimi dhe dronë që do t’i lejonin forcat ukrainase të luftojnë kundër sulmuesve të tyre, ta rimarrin territorin e tyre dhe t’i japin fund luftës. Fundi i sundimit tiranik të Putinit me të vërtetë do ta ndryshojë rrënjësisht Rusinë (dhe pjesën tjetër të botës) – por jo në mënyrën se si mendon Shtëpia e Bardhë. Në vend që ta destabilizojë Rusinë dhe fqinjët e saj, një fitore e Ukrainës do t’a eliminonte një forcë të fuqishme revanshiste dhe do ta nxiste kauzën e demokracisë në mbarë botën.

Rusët që jane pro-demokracisë e që refuzojnë regjimin totalitar të Putinit – një grup të cilit i përkasin autorët e këtij shkrimi – po bëjnë gjithçka që munden për ta ndihmuar Ukrainën t’i çlirojë të gjitha territoret e pushtuara dhe ta rivendosë integritetin e saj territorial në përputhje me kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të vitit 1991. Rusët po planifikojnë gjithashtu për të nesërmen e Putinit. Komiteti rus i Veprimit, një koalicion i grupeve të opozitës në mërgim që ne bashkëthemeluam në maj të vitit 2022, synon të sigurojë që Ukraina të kompensohet me të drejtë për dëmin e shkaktuar nga agresioni i Putinit, që të gjithë kriminelët e luftës të mbahen përgjegjës dhe që Rusia të transformohet nga një diktaturë mashtruese në një republikë federale parlamentare. Fundi i afërt i mbretërimit të Putinit nuk duhet të karakterizohet me frikë, me fjalë të tjera; duhet të mirëpritet  krahëhapur.

Frikë e pabazë

Përpjekja e Putinit për ta rivendosur perandorinë e humbur të Rusisë është e destinuar të dështojë. Prandaj, momentumi tani është mjaftueshëm i pjekur për një tranzicion drejt demokracisë dhe transferimin e pushtetit në nivelet rajonale. Mirëpo, që të ndodhë një transformim i tillë politik, Putini duhet të mposhtet ushtarakisht në Ukrainë. Një humbje vendimtare në fushëbetejë do ta përshjkonte aurën e pathyeshmërisë së Putinit dhe do ta ekspozonte atë si arkitektin e një shteti në dështim, duke e bërë regjimin e tij të cenueshëm ndaj sfidave nga brenda.

Perëndimi, dhe mbi të gjitha Shtetet e Bashkuara, janë në gjendje të ofrojnë mbështetje ushtarake dhe financiare për të përshpejtuar të pashmangshmen dhe për ta çuar Ukrainën drejt një fitoreje të shpejtë. Mirëpo administrata Biden ende nuk është bashkuar rreth një përfundimi të qartë për luftën dhe disa zyrtarë amerikanë sugjerojnë që Kievi zyrtar duhet ta ketë në konsideratë heqjen dorë nga një pjesë e territorit të tij në këmbim të arritjes së paqes – sugjerime që nuk janë bindëse. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka bërë të qartë se populli ukrainas nuk do ta pranojë asnjëherë një marrëveshje të tillë. Çdo koncesion territorial ndaj Putinit do të rezultojë, në mënyrë të pashmangshme, në një luftë tjetër.

Në themel të mosgatishmërisë së Uashingtonit për t’a furnizuar Ukrainën me armët e nevojshme qëndron frika nga pasojat e mundshme të mposhtjes me vendosmëri të Rusisë në Ukrainë. Shumë në administratën e Biden besojnë se rënia e Putinit mund ta shkaktojë kolapsin e Rusisë, duke e zhytur shtetin e armatosur bërthamor në kaos dhe potencialisht duke e forcuar Kinën.

Mirëpo, frika të tilla janë të mbivlerësuara. Rreziku i një kolapsi rus është sigurisht real. Por është më e madhe me Putinin në pushtet – duke e shtyrë Rusinë në një drejtim gjithnjë e më të centralizuar dhe militarizuar – sesa do të ishte nën një regjim demokratik dhe federal. Sa më gjatë të mbetet në pushtet regjimi aktual, aq më i madh është rreziku i një këputjeje të paparashikueshme. Agresioni i Putinit e ka ekspozuar paqëndrueshmërinë e natyrshme të modelit të tij të qeverisjes, i cili është ndërtuar mbi nevojën për t’u përballur me armiqtë e huaj. Mafia e Kremlinit, duke e kthyer Rusinë në një terren për planet e saj ushtarake, tashmë ka kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore në Ukrainë. Prandaj, Uashingtoni nuk duhet t’i frikësohet kolapsit të regjimit të Putinit, por mbijetesës së tij të vazhdueshme.

Për gati dy dekada, disa ekspertë perëndimorë kanë pohuar se populli rus nuk do ta pranojë asnjëherë demokracinë dhe se Rusia është e dënuar me revanshizëm. Në të vërtetë, propaganda e Putinit ka arritur ta rrënjos në një segment të konsiderueshëm të shoqërisë ruse pikëpamjen se vlerat perëndimore janë krejtësisht të huaja për Rusinë. Mirëpo integrimi ekonomik me Perëndimin u ka mundësuar vendeve të tjera ta tejkaolojnë një trashëgimi fashiste. Dhe integrimi më i thellë me Evropën, i shoqëruar me lehtësimin e kushtëzuar të sanksioneve perëndimore, mund ta ndihmojë Rusinë të bëjë të njëjtën gjë.

Në rast të humbjes ushtarake të Putinit, Rusisë do t’i duhej të zgjidhte: ose të bëhej vasal i Kinës ose ta fillonte riintegrimin me Evropën (duke e parë me të drejtë kompensimin e Ukrainës për dëmin e shkaktuar gjatë luftës dhe t’i ndëshkojë fajtorët për krime lufte). Për shumicën e rusëve, zgjedhja në favor të paqes, lirisë dhe lulëzimit do të ishte e qartë – dhe do të bëhej edhe më shumë nga rindërtimi i shpejtë i Ukrainës.

Shpresa mbi frikën

Humbja ushtarake e Putinit do të ndihmonte në katalizimin e një transformimi politik në Rusi, duke bërë të mundur që ata që kërkojnë një të ardhme më të ndritshme ta çmontojnë regjimin e vjetër dhe ta krijojnë një realitet të ri politik. Komiteti rus i Veprimit ka paraqitur një plan për këtë transformim, duke synuar ta rivendosë shtetin rus “mbi parimet e shtetit ligjor, federalizmit, parlamentarizmit, një ndarje të qartë të pushteteve dhe duke i dhënë prioritet të drejtave dhe lirive të njeriut mbi interesat abstrakte shtetërore. Vizioni ynë është që Rusia të bëhet një republikë parlamentare dhe një shtet federal me vetëm fuqi të kufizuara të centralizuara (ato të nevojshme për ta kryer politikën e jashtme dhe të mbrojtjes dhe për t’i mbrojtur të drejtat e qytetarëve) dhe qeveri shumë më të forta rajonale.

Për ta arritur një gjë të tillë, nevojitet kohë. Brenda dy viteve nga shpërbërja e regjimit të Putinit, rusët do ta zgjidhnin një asamble kushtetuese për ta miratuar një kushtetutë të re dhe për ta përcaktuar një sistem të ri të organeve rajonale. Por në afat të shkurtër, përpara se ajo asamble të mund të ulej, do të nevojitej një këshill shtetëror në tranzicion me fuqi legjislative për ta mbikëqyrur një qeveri të përkohshme teknokrate. Bërthama e saj do të përbëhej nga rusë të përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, të tillë që e kanë mohuar publikisht luftën e Putinit dhe regjimin e tij të paligjshëm. Shumica janë detyruar të largohen nga Rusia dhe të ikin në mërgim, ku ne kemi qenë të lirë të organizohemi dhe të krijojmë një shoqëri civile virtuale në mungesë. Përgatitje të tilla do të na mundësojnë të veprojmë me shpejtësi dhe të punojmë me fuqitë perëndimore, bashkëpunimi i të cilave do t`i mbetej qeverisë së re ruse për ta stabilizuar ekonominë.

Menjëherë pas marrjes së pushtetit, këshilli shtetëror do ta finalizonte një marrëveshje paqeje me Ukrainën, duke i njohur kufijtë e vendit të vitit 1991 dhe duke e kompensuar atë me të drejtë për dëmin e shkaktuar nga lufta e Putinit. Këshilli i shtetit gjithashtu do t’i refuzonte zyrtarisht politikat perandorake të regjimit të Putinit, si brenda Rusisë ashtu edhe jashtë saj, duke e përfshirë ndërprerjen e çdo mbështetjeje formale dhe joformale për entitetet pro-ruse në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Dhe kjo do t’i jepte fund konfrontimit afatgjatë të Rusisë me Perëndimin, duke kaluar në një politikë të jashtme të bazuar në paqen, partneritetin dhe integrimin në institucionet euro-atlantike.

Në frontin e brendshëm, këshilli i shtetit do të fillonte t’a çmilitarizonte Rusinë, duke i reduktuar përmasat e forcave të armatosura dhe si rrjedhojë koston e mirëmbajtjes së tyre. Ky Këshill gjithashtu do t’i shpërbënte organet e shtetit policor të Putinit, përfshirë Shërbimin Federal të Sigurisë represive dhe Qendrën për Luftimin e Ekstremizmit, dhe do t’i shfuqizonte të gjitha ligjet represive të miratuara gjatë sundimit të Putinit. Të gjithë të burgosurit politikë do të liroheshin dhe do të rehabilitoheshin plotësisht dhe do të miratohej një program më i gjerë amnistie për t’a zvogëluar numrin e përgjithshëm të të burgosurve në Rusi.

Në nivel federal, këshilli i shtetit do ta aplikonte lustrimin, duke kryer hetime të hapura dhe të plota të ish-zyrtarëve për t’i skualifikuar ata që janë përgjegjës për abuzimet e regjimit të mëparshëm. Përveç kësaj, do t’i likuidonte të gjitha partitë politike dhe organizatat publike që e kanë mbështetur pushtimin e Ukrainës, në mënyrë që ato të mos ndërhyjnë në ndërtimin e një Rusie të re. Në të njëjtën kohë, këshilli do t’i liberalizonte ligjet zgjedhore, do ta thjeshtonte procesin për regjistrimin e partive politike dhe do t’i hiqte kufizimet e kohës së Putinit në mitingje, greva dhe demonstrata.

Këshilli i shtetit do ta fillonte gjithashtu procesin e decentralizimit të Rusisë, duke transferuar kompetenca të gjera në rajone, duke përfshirë edhe sferën buxhetore. Reforma të tilla do ta dobësonin qendrën e plotfuqishme perandorake të Rusisë: nëse qeveria federale nuk ka kontroll të plotë mbi financat e shtetit, atëherë ajo nuk do të ketë mjetet për të zhvilluar aventura ushtarake.

Më në fund, këshilli do të siguronte që kriminelët e luftës dhe zyrtarët e lartë nga regjimi i Putinit të mbaheshin përgjegjës. Ata që janë përgjegjës për krimet më të këqija të luftës do të gjykohen në një gjykatë ndërkombëtare dhe Rusia vetë do ta gjykojë pjesën tjetër. Për ta bërë këtë, do të duhej të vendosej një vijë e qartë midis kriminelëve të luftës dhe ish-operativëve të regjimit – duke ofruar forma të ndryshme kompromisi me këta të fundit për ta siguruar më mirë një tranzicion paqësor.

Ky është një moment vendimtar për Ukrainën. Biden mund ta kthejë momentumin në favor të Kievit duke i mbështetur deklaratat e tij të mbështetjes me dërgimin e tankeve dhe armatimit me rreze të gjatë. Ai gjithashtu mund ta përshpejtojë rënien e regjimit të Putinit, duke e hapur mundësinë e një të ardhmeje demokratike për Rusinë dhe duke ia demonstruar botës marrëzinë e agresionit ushtarak. Shtetet e Bashkuara nuk duhet lejuar që frika e saj të jetë pengsë për shpresat e Ukrainës./Foreign Affairs

Përgatiti: Nuhi Shala