Skulptura ‘Mos Ik’ nga Eroll Murati. Foto: KALLXO.com.

‘Mos ik’ - thirrja artistike që të mos braktiset Kosova - FOTO

Si thirrje për mos largimin e qytetarëve nga Kosova, në Prishtinë është vendosur një vepër e veçantë.

Skulptura multimediale nga artisti Eroll Murati, e drejtuar kah perëndimi, shpërfaq brengën e shoqërisë kosovare – migrimin, përmes një njeriu që largohet nga rrënjët e tij – vendlindja, duke lënë pas vëllimin e madh me lëvizjet e tij të papritura.

Skulptura “Mos ik” është instaluar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Artisti përmes kësaj vepre u bën thirrje të rinjve që të mos largohen nga vendi.

Murati thotë për KALLXO.com se ikja e qytetarëve jashtë vendit është shqetësuese.

“Qëllimi është që edhe në mënyrë artistike të ndikojmë sado pak në ndalimin e vrullit të largimit të të rinjve, punëtorëve, mjekëve, e të tjerëve jashtë vendit”- tha ai.

Kurse, kuratori Zeni Ballazhi thotë se nëpërmjet veprës “Mos ik”, Murati provokon me mesazhin duke kërkuar që të rinjtë të mos ikin nga vendi i tyre.

“Momenti konstruktiv është një arkitekturë e realizuar në të cilën sensacioni dhe refleksioni marrin pjesë në krijimin e një ndërgjegjeje të paparë hapësinoro – kohore, jo abstrakte dhe thjeshtë mendore, por të drejtpërdrejtë dhe konkrete nga vetë autori”- ka shkruar Ballazhi në konceptin kuratorial për veprën.

Skulptura “Mos ik” do të qëndrojë në sheshin e kryeqytetit deri në fillim të muajit mars.

Murati planifikon që veprën “Mos ik” ta ekspozojë edhe në vendet tjera që ballafaqohen me ikjen e qytetarëve drejt shteteve të ndryshme.

Skulptura ‘Mos Ik’ nga Eroll Murati. Foto: KALLXO.com.

 

Skulptura ‘Mos Ik’ nga Eroll Murati. Foto: KALLXO.com.

 

Skulptura ‘Mos Ik’ nga Eroll Murati. Foto: KALLXO.com.