KOK; Foto në Facebook

MKRS ndan 680 mijë euro për Komitetin Olimpik të Kosovës

Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport do ta mbeshtesë me 680 mijë euro Komitetin Olimpik të Kosovës gjatë vitit 2022.

KOK ka njoftuar se ka nënshkruar sot memorandumin e bashkëpunimit me Ministrinë.

Sipas KOK kjo mbështetje ka shënuar rritje në krahas me vitet e kaluara.

Memorandumi u nënshkrua nga presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe ministri Hajrulla Çeku, thuhet në njoftim.

“Presidenti Krasniqi vlerësoi lart nënshkrimin e memorandumit, duke falënderuar ministrin për bashkëpunimin e deritashëm dhe mbështetjen e dhënë, e cila i mundëson KOK-ut të realizojë planin e aktiviteteve të brendshme dhe atyre ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Shuma e përgjithshme e mbështetjes së MKRS për KOK-un, federatat e sportit dhe Komitetin Paralimpik përmes memorandumeve vjetore është mbi 3.7 milionë euro, ka njoftuar KOK.

Në njoftim thuhet se përveç mbështetjes së federatave do të ketë edhe mbështetje të sportistëve, trajnerëve dhe shpresave olimpike në bazë të kategorizimit të KOK-ut.