Seanca e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, më 29.02.2024 Foto: Florinda Kelmendi / KALLXO.com

Mitrovicë e Veriut, prezantohet raporti vjetor i punës së Komitetit për komunitete

Në seancën e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut të mbajtur sot më 29.02.2024 është prezantuar raporti vjetor i punës së Komitetit për komunitete.

Raportin e prezantoi kryetarja e këtij Komiteti, Naxhije Xhema, sipas të cilës sfidë mbetet qasja e komuniteteve në punësim në institucionet publike.

“Sfidë për komunitete mbetet implementimi i projekteve kapitale që të realizohen me kohë, bashkëpunimi i mangët me mekanizmat e tjerë të mbrojtes së komuniteteve, të drejtave të tyre dhe interesave të tyre, si dhe qasja e komuniteteve në punësim në institucione publike”- ka thënë ajo.

E në dhjetë takime që janë mbajtur janë diskutuar temat aktuale që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve, duke përfshirë edhe ato më të ndjeshmet.

“Gjendja në të cilën jetojnë komunitetet nuk është aq e mirë për arsye se të drejtat e tyre duhet të respektohen”- ka thënë Xhema.

Sipas delegates Naxhije Xhema, me rekomandim të tyre, vendimet e Kuvendit të kësaj Komune dhe në bashkëpunim me pushtetin ekzekutiv ka filluar të rregullohet jeta e qytetarëve.

“Ka filluar ndërtimi i disa shtëpive, punësimi, shpërndarja e mjeteve për personat me probleme shëndetësore dhe shpërndarja e fondeve për fëmijët e lindur në vitin 2023” – tha ajo.

Tutje, situata e vështirë pas vërshimeve, sipas Xhemës, solli shumë dëme materiale dhe ka prekur nevojat bazike të qytetarëve.

“Rekomandimi ynë ishte që vendimi i Kuvendit të realizohet dhe të bëhet pagesa sa më parë që t’i ndihmojmë të gjitha komunitetet. Si përfundim secila familje ka marrë përkrahje financiare në muajin nëntor të vitit 2023 nga niveli qendror dhe lokal”- përfundoi ajo.

Ndër rekomandimet të cilat u thanë në këtë raport ishin ndërtimi i një shkolle multietnike, ndërtimi i QKMF-së, ndërtimi i çerdhes për fëmijë, renovimi i shkollës fillore ‘Aziz Sylejmani’, ndarja e bursave për studentët e dalluar dhe atyre me asistencë sociale.