Mitrovica e Veriut. Foto: Atdhe Mulla/Kallxo.com

Mitrovicë, arrestohet 23-vjeçarja, dyshohet se u prezantua rrejshëm si zyrtare e Prokurorisë

Policia në Mitrovicë ka arrestuar një të dyshuar pasi është prezantuar rrejshëm si zyrtare e Prokurorisë.

E dyshuara është O.R., 23 vjeçare, shtetase e Kosovës.

23-vjeçarja është arrestuar pasi që ditë më parë në kohën kur është ndalur nga Policia në Mitrovicë, gjatë kontrollit rutinor, ka tentuar  t’i vërë në lajthim zyrtarët policorë nën arsyetimin se është punonjëse –  zyrtare e Prokurorisë.

Pas verifikimeve të bëra ka rezultuar se e dyshuara nuk është punonjëse  në sistemin e Prokurorisë së Kosovës, e njëjta dyshohet se edhe në disa raste të tjera është prezantuar si punonjëse e Prokurorisë.

Ndërsa pas procedurave të intervistimit, me urdhër të prokurorit të rastit e dyshuara  është liruar në procedurë të rregullt.