Miratohet në parim ndryshimi i Kodit që lehtëson gjykimet në mungesë

Nisma e paralajmëruar javë më parë nga Qeveria e Kosovës për ndryshimin e  Kodit të Procedurës Penale në aspektin e gjykimeve në mungesë është miratuar në parim nga Kuvendi i Kosovës.

Këtë përmes një postimi e ka bërë të ditur Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu deklaroi se pas këtij ndryshimi shpejt do ta dërgojnë në Kuvend edhe Kodin e ri të Procedurës Penale që do të lejojë gjykimet në mungesë edhe për veprat e tjera penale.

“Brenda një kohe të shkurtër do të procedojmë me draftin e ri të Kodit të Procedurës Penale, ku do të lejohet gjykimi në mungesë edhe për veprat tjera penale”, tha Haxhiu.

Gjykimet në mungesë në Kosovën Republikë u lejuan për herë të parë gjatë vitit 2019.

Këtë formë të gjykimit, ligjvënësi kosovar e mundësoi vetëm për krimet e luftës të kryera gjatë periudhës janar 1990 deri në qershor 1999 në Kosovë.

Mirëpo ndonëse baza ligjore u mundësua, asnjë person në Kosovë nuk u gjykua në mungesë.

Për këto arsye u kërkua ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale që do të lehtësonte fillimin e zbatimit të gjykimeve të tilla në mungesë të të akuzuarve të respektoheshin në mënyrë që një gjykim në mungesë të jetë i pranueshëm.

Kosova duke parë gabimet dhe problemet të shteteve anëtare në BE-së, vendosi kritere të cilat kërkojnë procedura dhe kohë për t’u respektuar. Si rezultat i këtyre kërkesave po bëhen gati dy vite prej kur këto ndryshime ligjore hynë në fuqi dhe akoma deri sot nuk u zhvillua asnjë procedurë gjyqësore në mungesë të të akuzuarve.

Kosova dallon nga shumë sisteme të tjera të cilat e parashohin gjykimin në mungesë për shkak se përpos që gjykimin në mungesë e kufizon në kohë të caktuar e kufizon edhe në vepra të caktuara penale, procedurë të kërkimit të të akuzuarit si dhe shpalljen e tij në mjetet e komunikimit publik.

Sipas Kodit të procedurës penale në Kosovë aktualisht lejohet të gjykohen në mungesë vetëm veprat e krimeve të luftës të cilat janë kryer gjatë periudhës janar 1990 deri në qershor 1999.

Ky Kod ka paraparë kushte strikte të cilat sipas Prokurorisë Speciale janë pengesë për zhvillimin e këtyre procedurave e që konsistojnë në  kërkimin e së paku pesë (5) herë të personit që po hetohet apo akuzohet në shtetin ku besohet se është. Problemi kryesor në zbatim të gjykimit në mungesë është çështja e ekstradimit të personave të dyshuar ose të akuzuar për krime të luftës.