Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministrja Nagavci dënon rastin e mësimdhënësit që dyshohet se sulmoi seksualisht një nxënëse

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e ka dënuar rastin e mësimdhënësit në Deçan i cili dyshohet se ka sulmuar seksualisht një nxënëse të mitur.

“E dënoj ashpër rastin e publikuar sot për sjellje të pahijshme ndaj një nxënëse në një shkollë të Deçanit. Pres që organet e drejtësisë ta trajtojnë këtë rast me prioritet dhe të merren masat e duhura. Është obligim i të gjithë neve që të sigurojmë ambiente të sigurta për fëmijët.” – ka shkruar ministrja Nagavci.

Ajo gjithashtu ka përmendur se për tu shmangur situata të tilla, në vitin 2021 ajo ka dërguar tri propozime në Ministrinë e Drejtësisë që të përfshihen në Kodin penal.

“Propozimet kanë qenë: 1.Ashpërsimi i dënimit për rastet e ngacmimit seksual ndaj fëmijëve, 2.Kualifikimi kësaj vepre penale në një paragraf të veçantë duke saktësuar kryerjen e kësaj vepre ndaj fëmijëve, 3.Aplikimi i dënimit plotësues me të cilin ndalohet ushtrimi i profesionit që lidhet me punën e fëmijëve ndaj kryerësve të veprave të tilla.” – ka shkruar ministrja.

Nagavci ka thënë se përderisa pika e tretë e këtyre propozimeve është marrë parasysh dhe është përfshirë në Kodin Penal, ajo ka shtuar se pret që edhe dy propozimet tjera të gjejnë mbështetje në Kuvend.

Një mësimdhënës në Deçan dyshohet se ka puthur një nxënëse të mitur.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për KALLXO.com se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka konfirmuar se rasti ka ndodhur të premten.

Ai ka theksuar se menjëherë pas raportimit është marrë masa për suspendimin e mësimdhënësit deri sa të verifikohen procedurat e hetuesisë.

Kreu i Komunës së Deçanit ka bërë të ditur se drejtori i shkollës dhe drejtori i Arsimit e kanë denoncuar mësimdhënësin.