Ministrja e Drejtësisë, kryesuesi i KGjK-së dhe kryetari i Supremes firmosin deklaratë zotimi për reformë në sundimin e ligjit

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Albert Zogaj dhe kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës Enver Peci është nënshkruar një deklaratë e përbashkët zotimi.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë, thuhet se përmes kësaj deklarate Ministria e Drejtësisë zotohet se do të formojë në afatin më optimal, grupet punuese për kryerjen e hapave procedurale dhe nxjerrjen e dokumenteve përkatëse për reformat.

Edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Gjykata Supreme me nënshkrimin e kësaj deklarate, janë zotuar të kontribuojnë substencialisht në këtë proces duke dhënë kontribut të vazhdueshëm profesional përmes përfaqësuesve kompetent.

“Ky akt shënon një zotim të plot-vullnetshëm për të ngritur nivelin e bashkëpunimit dhe kontributit në mes të këtyre institucioneve, me qëllimin e qartë për reforma në fushat e caktuara të sundimit të ligjit, ndër të tjera, në atë penale, civile dhe administrative. Zotimi i tillë, gjithashtu është i rëndësishëm për bashkëpunimin dhe kontributin profesional të partnerëve strategjik, si pjesë e rëndësishme e reformave në drejtësi”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ministria.

Në akt i tillë sipas komunikatës thuhet se shënon përkushtimin dhe bashkëpunimin e institucioneve të drejtësisë, për të kontribuar tutje në proceset reformuese në drejtësi, për të forcuar sundimin e ligjit si dhe për të rritur rezultatet e institucioneve dhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.