Ministria e Financave mohon të jenë ndarë 15 milionë euro për shpenzimet e rrymës në veri  

Ministria e Financave dhe Transfereve ka reaguar ndaj disa raportimeve të disa mediave në vend se janë ndarë 15 milion euro për të mbuluar shpenzimet me rrymë në veri të Kosovës.

Sipas Ministrisë, ku lajm nuk është i vërtetë, ndonëse kanë konfirmuar se janë duke planifikuar një ndarje buxhetore për Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).

“Për korrektësi ndaj publikut, Ministria e Financave dhe Transfereve gjatë procesit të draftimit të buxhetit për vitin 2020 është duke shqyrtuar mundësinë e përkrahjes buxhetore të KOSTT-it”, thuhet në njoftim.

Sipas ministrisë, kjo ndarje buxhetore do të siguronte që sistemi elektro-energjetik i Kosovës të mos shkaktoj devijime ndaj sistemit evropian,

“Është parakusht për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kyçjes ndërmjet KOSTT dhe ENTSO-E, përkatësisht pavarësimin energjetik të Kosovës nga Serbia”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas tyre pavarësimi energjetik i Kosovës do të mundësoj kontrollin e kufijve energjetik të Kosovës (linjat ndërkufitare të transmisionit me vendet fqinje) nga ana e KOSTT.

Poashtu sipas ministrisë së financave ky pavarësim do të mundësonte bashkimin e tregut të energjisë elektrike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë (duke përfshirë vendosjen në operim të linjës 400kV Kosovë-Shqipëri dhe operimin e bllokut rregullues Kosovë-Shqipëri), gjëra të cilat do të sjellin përfitime financiare për konsumatorët e Kosovës.

Krejt në fund, ministria e financave i ka ‘këshilluar’ mediat që para se të publikojnë lajme, të konsultohen për vërtetësinë e lajmit me Zyrën për Komunikim Publik në Ministrisë së Financave dhe Transfereve.