Elbert Krasniqi Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ministri Krasniqi flet për dialogun me serbët e Kosovës

Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ka thënë se janë në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha komunat e Kosovës dhe, sipas tij, raportet me komunat veriore janë të njëjta sikur me komunat e tjera.

Krasniqi në emisionin “KALLXO Përnime” kur u pyet për ‘premtimin’ e Qeverisë që të zhvillojë dialog me serbët lokalë, deklaroi se ai si ministri pranon edhe kërkesa nga komunat veriore.

Teksa siguroi se të gjitha komunat trajtohet barabartë pavarësisht përkatësisë etnike apo politike.

“Ne si ministri kemi një koordinim të vazhdueshëm me komunat e Kosovës, qytetarët i drejtojnë ankesat tek ne, dhe ne i trajtojmë. Raporti me komunat e veriut është i njëjtë sikurse me komunat e tjera. Nuk është në mandatin e Ministrisë sonë që t’i verifikojmë vijueshmërinë e stafit në punë, por kuvendet, kryetari, vazhdojnë t’i kenë aktivitetet e rregullta. Kryetari dërgon kërkesa për nevojat e tyre. Unë dje kam kthyer një përgjigje në një shkresë për Komunën e Zubin Potokut që ka bërë një kërkesë në Ministrinë tonë. Të gjitha komunat trajtohen barabartë prej MAPL-së, s’ka rëndësi përkatësia etnike, politike, ne vazhdojmë mandatin ligjor”, tha ministri Krasniqi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që nga viti 2019 ka paralajmëruar dialogun me serbët e Kosovës, me vlerësimin se një dialog i tillë është shumë më i rëndësishëm se ai me Serbinë në Bruksel, mirëpo deri më tani nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim.