Elbert Krasniqi Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ministri i Pushtetit Lokal vizitoi kryetarin e Zubin Potokut

Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal ka qenë zyrtari i parë shtetëror që ka vizituar kryetarin e zgjedhur të Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Zeqiri, mes tensioneve dhe nën përcjelljen e forcave të rendit, sot u vendos në zyrën e tij, në objektin e komunës.

“I urova kryetarit marrjen e detyrës që e ka marrë dje dhe sot ka filluar punën në zyrën e objektit të komunës. Si qeveri jemi të përkushtuar në mbështetje të të gjithë kryetareve të komunave të Kosovës dhe në mënyrë të veçantë katër kryetarëve të zgjedhur së fundmi” – ka thënë Krasniqi për Klan Kosova.

“Komuna është e qytetarëve, kryetari duhet të jetë në komunë. Do të ketë mbështetjen e plotë dhe të parezervë të krejt kabinetit qeveritarë” – tha Krasniqi.

Lulzim Hetemi, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, kryetarë të zgjedhur të tre komunave në veri të vendit, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, janë vendosur sot në zyrat e objekteve komunale.

Që nga mesdita e së premtes, në katër komunat me shumicë serbe, është dëgjuar alarmi i sigurisë.

Menjëherë pas sirenave, në tre komuna, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, janë parë qytetarë serb që kanë bllokuar hyrjet e objekteve të komunave për të pamundësuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës është angazhuar që të u siguroi hyrjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Situata e krijuar ka prodhuar tension, ndërsa sipas forcave të rendit, gjatë ndërhyrjes në Zveçan, pesë zyrtarë policorë morën lëndime të lehta, katër automjete u dëmtuan, njërës prej të cilave iu vë flaka.

Gjithashtu, organet ligjzbatuese thanë se në Zveçan u dëgjuan edhe të shtëna nga arma e zjarrit.

E gjithë kjo situatë, sipas organeve të drejtësisë është cilësuar si “Sulm Kundër Rendit Kushtetues”.

Për dallim nga tri komunat, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, në Mitrovicën e veriut, komunë me shumicë serbe, situata ishte e qetë.

Në një deklarim për KALLXO.com, kryetari i zgjedhur, Erden Atiq, tha se ka dal në vendin e tij të punës, në objektin e komunës, dhe nuk ka parë ndonjë situatë të tensionuar.

LIVE – Zhvillimet e fundit në veri