Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu

Ministri Aliu prezanton projektin për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë - Durrës

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka prezantuar gjatë një konference për media projektin për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë – Durrës.

Ministri Aliu ka thënë se ndërtimin i kësaj hekurudhe do ta bënte Prishtinën, konkretisht shtetin e Kosovës, një pikë të rëndësishme të shpërndarjes së mallrave, përmes lidhjeve infrastrukturore – hekurudhore që lidhin rajonin me pjesë të ndryshme panevropiane.

“Mund të them se ky projekt po merr rrugën e vet dhe jemi në faza ku tashmë mund të fillojmë edhe me hartimin e një plani të menaxhimit të saktë, i cili përfundon së shpejti dhe do të na japë të qartësi edhe në aspektin kohor dhe financiar të realizimit të këtij projekti”, ka thënë Aliu.

Ai ka thënë në buxhetin për 2022 për fazën e parë – studimin e fizibilitetit të këtij projekti janë ndarë 1 milion euro.

Aliu ka thënë se tri korridoret panevropiane hekurudhore që funksionojnë në rajon; korridfori 8, 10 dhe atij Blu- Jon Adriatik e anashkalojnë Kosovën. Por, me ndërtimin e hekurudhës Prishtinë – Durrës, Kosova do të mund të bëhet një pikë e rëndësishme lidhëse mes këtyre korridoreve.

Aliu ka thënë më tej se një prej varianteve se ka do të kalojë traseja e kësaj hekurudhe është korridori përmes Luginës së Drinit, që e lidh Shkodrën me Gjakovën e pastaj Prishtinë.

“Një studim i hollësishëm i cili është bërë në viti 1947 në Shqipëri dhe parasheh ndërtimin e një hekurudhe nga Shkodra në Tropojë e në Gjakovë përmes Luginës së Drinit, mund ta konsiderojmë si pikë ku do të orientohemi për më tej dhe teknikisht mjaft e favorshme”, ka thënë Aliu.

Ai ka thënë se hekurudha Prishtinë – Durrës do të jetë një korridor mjaft i rëndësishëm i shpërndarjes së mallrave nga Porti i Durrësit dhe ai i Tivarit.

Aliu ka thënë gjithashtu se edhe modernizimi i rrejtit hekurudhor në vend nuk ka ndonjë efekt pa ndërtimin e hekurudhës Prishtinë – Durrës.

Ministri gjatë kësaj konference ka folur edhe për futjen në listën e e zezë nga ana e SHBA-së të disa personave. Aliu ka thënë se janë duke i shqyrtuar masat që do të mund të merren ndaj kompanisë përfitues të tenderëve qeveritarë e cila është futur në listë të zezë të SHBA-ve.

Në nëntor të këtij viti, në kuadër të mbledhjes së dy Qeverive Kosovë – Shqipëri është nënshkruar edhe marrëveshja për ndërtimin e hekurudhës Durrës – Prishtinë.