Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Memli Krasniqi takon përfaqësuesit e grevës, fajëson kryeministrin Kurti për situatën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas takimit me përfaqësues të Këshillit Grevist të Kosovës ka thënë se mos ekzekutimi i pagave ndaj grevistëve është vepër penale.

Krasniqi ka thënë se dialogu në mes sindikatave dhe qeverisë është alternativa e vetme dhe se të dy palët duhet të mundohen të gjejnë zgjidhje.

“Diskutuam për situatën e rëndë që janë duke kaluar anëtarësia e sindikatave dhe grevistët dhe kërkesat e tyre legjitime të bëra muaj më parë. Qëndrimi ynë është i qartë, dialogu social është alternativa e vetme, duhet të mundohemi të gjejmë zgjidhje” – tha ai.

Sipas kryetarit të PDK-së, kryeministri Albin Kurti është duke treguar arrogancë në raport me grevën e sindikatave.

“Qasja që ka zgjedhur LVV është e gabuar, nuk mund të sillet ndaj mësimdhënëseve me këtë arrogancë të paparë më parë. Dyert e shkollave me 1 shtator i ka mbyllur Albin Kurti dhe jo mësimdhënësit. Mosekzekutimi i pagave për grevistët është vepër penale. Do të iniciojmë seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për situatën. Le ta dinë Albin Kurti që nuk guxon t’a kthej Kosovën në diktaturë”, tha ai.

Këshilli Grevist i Bashkësisë së Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka ftuar në takim partitë e Kuvendit të Kosovës.

Greva e përgjithshme në Kosovë ka filluar nga 25 gushti dhe ishte paralajmëruar më herët nga BSPK të cilët kanë thënë se kjo grevë do të vazhdojë deri sa qeveria të pranojë që të ulet dhe të dialogoj për kërkesat e tyre.

Në një konferencë për media, kryetari Bashkimi i Sindikatave te Pavarura te Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli kishte thënë se kërkesat për të cilat sindikalistët nuk janë ftuar nga Qeveria e Kosovës që të dialogojnë janë:

Rritje page prej 100 euro për të gjithë të punësuarit përderisa të miratohet e zbatohet Ligji për paga;

Plotësim- ndryshimi i ligjit për skemat pensionale të finacuara nga shteti,

Ligjit nr.04/L-131, e sidomos ndryshimi I Nenit 8, paragrafit 1 e nënparagrafëve 1.2 dhe 1.3 të tij, që thirret në Ligjin e Sigurisë Pensionale të vitit 1983, e sipas të cilit kërkohet 15 vjet kontribut në skema pensionale para 1 janarit 1999;

Zbatimi sa më parë i ligjit të miratuar dhe të shpallur për sigurimin shëndetësor qysh në 2014-tën.