Medinë Dauti tregon për presionin 3-vjeçar të ish-profesorit të saj

Medinë Dauti, viktimë e ngacmimit seksual, në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka rrëfyer se si për 3 vite me radhë ishte ngacmuar nga ish-profesori i saj i shkollës së mesme.

Në këtë intervistë 22-vjeçarja ka thënë se i dyshuari vazhdimisht i ka bërë presion si në rrjete sociale ashtu edhe gjatë kohës kur ajo ka dalë nga shtëpia.

“Presioni nuk ka qenë në rrjete sociale, sa herë që unë kam dalë në Gjilan, sa herë që unë kam shku në kafiteritë që dal, personi ka ardhë edhe është afru pa lejen time, ka tentu që të më flasë pa lejen time, ka tentu që të më përqafojë pa lejen time. Do të thotë, këto krejt kanë ndodhë kur unë i kam thanë që nuk po du me folë më me ty edhe që unë nuk kam ndjenja më për ty dhe nuk mundet me ndodhë kurrgjë në mes neve” – ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se vazhdimisht e ka paralajmëruar të dyshuarin se do të raportojë në Polici, mirëpo i njëjti nuk është ndalur.

“Unë e kam paralajmëruar personin që kam me e raportu në Policinë e Kosovës, por kjo nuk i ka bërë përshtypje edhe madje në një pjesë të tekstit më ka thanë edhe “Unë dal para gjyqtarit edhe unë i them se unë e dua atë çikë dhe dua të jem me të”. Kjo e ka treguar komplet qasjen e tij edhe mendimet e tij që i ka kundrejt fenomenit edhe unë konsideroj që ai më ka konsideruar pronë të tijën edhe e ka mohuar komplet integritetin tim individual edhe seksual për sa i përket zhvillimit tim” – ka theksuar ajo.

“Kam mendu që është person i rritur, është arsimtar. është person i shkolluar, dhe kam konsideru që si një person i rritur kupton kur dikush më i vogël se ai thotë “Jo” për diçka, sadopak e kam pritë këtë mirëkuptim nga ana e tij. Por, kjo nuk ka ndodhë” – ka vazhduar rrëfimin e saj ajo.

Tutje ajo ka thënë se deri te vendimi për ta raportuar në Polici ka ardhur pasi që i dyshuari ka filluar të shfaqte  sjellje “shumë agresive”.

“Pika kulminante që ka qenë kur unë kam shku në Polici, ka qenë kur personi më është afru në njërën prej kafiterive në Gjilan edhe ka shpreh sjellje shumë agresive kundrejt meje edhe shoqes tem edhe ka dashtë me na folë me zor edhe kur kemi fillu na me reagu është nervozu edhe ashtu jemi frikësu tepër shumë se qasja e tij ka qenë nuk ka qenë OK edhe prej qatij momenti kam vendosë me shku në Polici edhe me i tregu Policisë që kam fillu mandej me u frikësu për mirëqenien tem” – ka theksuar ajo.

Medinë Dauti ka denoncuar në gjykatë për ngacmim seksual ish-profesorin e saj K.K.

Gjykata e Gjilanit më 29 gusht 2022 kishte shpallur fajtor profesorin K.K. dhe e ka dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 1 mijë e 200 euro, të cilën ai obligohet që ta paguajë në afat prej 3 muajve.