Mbi 6 mijë familje janë ndihmuar me pako ushqimore në Mitrovicën e Jugut

Komuna e Mitrovicës së Jugut, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se gjatë kohës së pandemisë me CoVid-19, në këtë qytet janë ndihmuar mbi 6 mijë familje me pako ushqimore dhe higjienike.

Sipas këtij njoftimi, Komuna e Mitrovicës së Jugut nga buxheti i saj ka ndarë mbi 2000 pako ushqimore dhe higjienike, ndërsa të tjerat janë siguruar falë zemërgjerësisë dhe vullnetit të mirë të donatorëve dhe bizneseve të ndryshme, për të cilat jemi shumë falënderues në emër të komunës dhe të gjithë qytetarëve mitrovicas.

Njoftimi thotë se kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, ka falënderuar të gjithë donatorët që kanë ndihmuar familjet në nevojë  dhe ka vlerësuar se përkrahja e tyre është shumë e mirëseardhur për ta tejkaluar gjendjen e tanishme nga CoVid-19.

Ndërsa listat e familjeve përfituese të këtyre pakove janë përzgjedhur nga përfaqësuesit e lagjeve dhe fshatrave të Mitrovicës së Jugut.

Mitrovica Jugore ende nuk ka asnjë person të prekur me virusin CoVid-19, ndërsa në Kosovë deri më tani janë 790 persona të infektuar, 232 persona të shëruar dhe 22 të vdekur.

Ky është njoftimi i plotë i Komunës së Mitrovicës Jugore:

 

“Komuna e Mitrovicës Jugore në bashkëpunim me donatorë deri më tani ka ndihmuar me pako ushqimore dhe higjienike rreth 6000 familje në nevojë sociale.

Gjatë kësaj situate emergjente të krijuar pas përhapjes së virusit COVID-19, Komuna e Mitrovicës së bashku me vullnetin e mirë të shumë donatorëve dhe bizneseve të ndryshme, deri më tani iu kanë dalë në ndihmë me pako ushqimore dhe higjienike rreth 6000 familjeve në nevojë në gjithë territorin e Mitrovicës.

Me këtë rast Komuna e Mitrovicës nga buxheti i saj ka ndarë mbi 2000 pako ushqimore dhe higjienike, ndërsa të tjerat janë siguruar falë zemërgjerësisë dhe vullnetit të mirë të donatorëve dhe bizneseve të ndryshme, për të cilat jemi shumë falënderues në emër të komunës dhe të gjithë qytetarëve mitrovicas.

Dhe vlen të përmendet se donacione të tilla kanë dhuruar; Elkos Group 600 pako, QTA-ja 93 pako, Fondacioni “Firdeus” 10 mijë kg miell, Fondacioni “Freskia” 40 pako, Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” 130 pako, Fondacioni “Labinot Tahiri” 200 pako, biznesmenët Agron dhe Afrim Zeneli, 500 pako, Organizata “Qatar Charity”, 100 pako, Kompania “Baruti Group”, 100 pako, “Auto Pjesë Besniku”, 150 pako, Lirigzoni Sh.p.k, 600 pako, dhe djemtë e kryetarit Bahtiri, 25 mijë kg miell.

Andaj kryetari Bahtiri falënderon përzemërsisht të gjithë donatorët të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për ti ndihmuar familjet që kanë nevojë dhe janë me asistencë sociale, dhe ka vlerësuar se përkrahja që po i bëhet qytetarëve është shumë e mirëseardhur për të tejkaluar gjendjen e krijuar nga pandemia COVID-19.

Ndërsa listat e familjeve përfituesve të këtyre ndihmave janë përzgjedhur nga përfaqësuesit e lagjeve dhe fshatrave të Mitrovicës, për arsye se ata e dinë më së miri se cilat familje kanë nevojë të ndihmohen në këtë situatë emergjente”.