Ilustrim

Mbi 429 mijë tonë bërllok në vit prodhojnë qytetarët e Kosovës

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon rezultatet e Anketës së Mbeturinave të Trajtuara (AMT) për vitin 2018.

Sipas të dhënave të këtij raporti, në vitin 2018-të, mbi 429 mijë tonelata bërllok u prodhuan nga qytetarët e Kosovës.

“Rezultatet nga AMT-së tregojnë se në vitin 2018: sasia e mbeturinave të ricikluara ishte 3193 ton/vit; sasia e mbeturinave të sterilizuara (mbeturina spitalore) ishte 460 ton/vit. Kurse, sasia e përgjithshme e mbeturinave të trajtuara për vitin 2018 ishte 429 534 ton/vit“, thuhet në njoftim.

Sasia e mbeturinave të trajtuara, sipas llojit të mbeturinave dhe llojit të trajtimit, e shprehur në përqindje, për vitin 2018, ishte si vijon: metalet 51 përqind; mbeturinat nga plastika 28 përqind; mbeturinat spitalore 12 përqind; mbeturinat e djegura 6 përqind; dhe mbeturinat e letrës dhe kartonit 3 përqind.

Sasia e mbeturinave të deponuara u rrit për 2 përqind më shumë se një vit më parë

“Sasia e mbeturinave të deponuara në deponitë sanitare dhe josanitare, në vitin 2018, ishte 425 667 ton/vit. Krahasuar me të dhënat e vitit 2017, në vitin 2018 ishte një rritje e lehtë prej 2%”, bën të ditur komunikata e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Sipas ASK-së, qëllimi kryesor për realizimin e AMT 2018 ka qenë grumbullimi i të dhënave statistikore nga bizneset, që merren me trajtimin e mbeturinave (deponitë rajonale, objektet e trajtimit të mbetjeve spitalore, sterilizimi dhe objektet e trajtimit të mbeturinave industriale), që të sigurojë të dhëna statistikore të qëndrueshme, si dhe krijimin e serisë kohore.