Mbahet takimi i parë i Ekipit Punues për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës

Sot është mbajtur takimi i parë i Ekipit Punues për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës.

Ekipi Punues është themeluar që të adresohet ajo se çka ka ndodhur në Kosovë gjatë kohës së luftës dhe që të dokumentohen në mënyrë të përbashkët edhe dëmet e shkaktuara.

Në këtë takim ishin të pranishëm gjithashtu kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Kryeministri Kurti në fjalën e tij tregoi se pse i është lënë emri ‘Instituti për krime të kryera gjatë luftës’ dhe se cili është qëllimi i këtij Instituti.

“Besoj e keni vërejtur menjëherë që emri i Institutit të cilit i referohemi nuk është “Instituti për krime lufte” por Instituti për krime të kryera gjatë luftës. Kjo për shkak se konsiderojmë që është e rëndësishme që të adresohen edhe krimet e tjera që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës së fundit, e që janë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi”, ka thënë  ndër të tjera Kurti në këtë takim.

Ndërsa ministrja Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ tha se Ekipi Punues do të ofrojë një analizë të argumentuar, mbi mundësinë e themelimit të Institutit.

“Të gjithë anëtarët e ekipit, shprehën vullnetin e tyre në raport me punën dhe përgjegjësitë e tyre.Ndër propozimet e para që u dhanë ishin themelimi i Insitutit me ligj të veçantë dhe jo me vendim dhe linjë e veçantë buxhetore.Afër 21 vite pasluftës, ndonëse shumë vonë, por tani është koha e fundit që krimet e luftës t’i trajtojmë seriozisht”, ka shkruar Haxhiu në ‘Facebook’.