Mbahet në Vushtrri olimpiada e parë e matematikës Kosovë- Shqipëri

Gjatë ditës së sotme në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri është mbajtur olimpiada e parë matematike Kosovë- Shqipëri, për klasat VII- IX.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri përmes një postimi në Facebook ka treguar se nga kush po përkrahet kjo ngjarje.

“Olimpiada e Parë Matematike Kosovë-Shqipëri për Klasat VII-IX po mbahet në Vushtrri me organizmi të Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës dhe Shoqatës Shqiptare të Matematikës. Kjo ngjarje po përkrahet prej Komunës së Vushtrrisë, Ministrisë së Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit dhe kompanisë shqiptaro – amerikane “ninety one”, thuhet në postimin e Tahirit.

Tahiri ka bërë të ditur se në këtë olimpiadë po marrin pjesë afër 140 nxënës nga trojet shqiptare.

Në bazë të fotografive të postuara nga Tahiri, shihet se e pranishme në ambientet ku po zhvillohet gara është edhe ministrja e Ministrisë së Arsimit, Hykmete Bajrami, si dhe zëvendëskryeministri, Haki Abazi.