Masat e reja- S’ka dasma, gastronomia vetëm me hapësirat e jashtme me 70% të hapësirës

Së shpejti, Kosova pritet t’i ashpërsoj masat në parandalimin e pandemisë së COVID-19.

Pas një takimi në mes ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe përfaqësuesve të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, këta të fundit kanë paralajmëruar disa prej masave që do të ndërmerr Qeveria e Kosovës.

Rikthimi i orës policore, reduktimi i orarit të punës e puna e gastronomisë vetëm në ambiente të jashtme, janë disa prej masave të paralajmëruara.

“Orari i punës do të reduktohet për një orë nga 22:30 në 21:30, gastronomia do të funksionojë vetëm me hapësirat e jashtme, dhe vetëm 70% të hapësirës, në qendrat tregtare gastronomia nuk do të funksionojë fare, sallat e dasmave, klubet e natës, kinematë dhe të tjera do të vazhdojnë të jenë plotësisht të mbyllura, seminaret dhe konferencat në hapësira të mbyllura mund të mbahen vetëm deri në 30 persona, ora policore do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 5:00 të mëngjesit”, thuhet në njoftimin e Odës së Hotelerisë dhe Turizmit.

KALLXO.com ka kontaktuar Hysen Sogojevën nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit për të pyetur se kur pritet të hyjnë në fuqi masat e paralajmëruara.

“Sot e kemi pasur një takim me ministrin Vitia prej orës 17:30, dhe shpejt do të ketë vendime për masa. Së shpejti, nuk e dimë cilën ditë, por së shpejti. Do ta kemi edhe një takim dhe së shpejti pritet të hyjnë në fuqi masat e reja”, ka thënë ai.

Masat e reja, pritet të rikthehet ora policore

www.kallxo.com