Ilustrim

Mali i Zi e rishqyrton ekstradimin e ‘gylenistit’ në Turqi

Një gjykate malazeze i është thënë që ta rishqyrtojë vendimin e saj për të lejuar ekstradimin në Turqi të një përkrahësi të klerikut të mërguar Fethullah Gulen, lëvizja e të cilit Ankaraja pretendon se është një organizatë terroriste.

Gjykata e Apelit e Malit të Zi i ka thënë një gjykate lokale në vend që të marrë një aktvendim të ri mbi një kërkesë turke për ekstradim për anëtarin e lëvizjes gyleniste Harun Ayvaz, i cili është i kërkuar në vendin e tij për vepra të pretenduara të terrorizmit.

Gjykata e Apelit me seli në Podgoricë pranoi pjesërisht një apel nga një avokat për Ayvazin, i cili aktualisht është në paraburgim në Mal të Zi, dhe rrëzoi vendimin e mëparshëm të gjykatës lokale e cila thoshte se ai duhet të ekstradohet në Turqi.

Gjykata e Apelit tha në vendimin e saj më 7 tetor, të cilën e ka siguruar BIRN, se urdhri për arrestimin e Ayvaz ishte lëshuar në 6 shtator nga një gjykatë turke e cila thoshte se shtetasi turk dyshohet për “veprën penale të anëtarësimit në një grup të armatosur terrorist ”.

Që atëherë, Ayvaz ka qenë në burg në Bijelo Polje, një qytet në veri të Malit të Zi, ndërsa pret që të zgjidhet fati i tij.

Ayvaz ishte anëtar i lëvizjes së Gulenit dhe më parë ka punuar si administrator në një konvikt të studentëve, i cili ishte i lidhur me organizatën e klerikut të mërguar në qytetin turk të Tekirdagut.

Avokati i Ayvaz, Radojica Gjuroviq, tha për BIRN se ai ka paralajmëruar delegacionin e BE në Mal të Zi për rastin, i cili më parë nuk është raportuar nga media.

“Nëse Mali i Zi synon të jetë një anëtar i BE-së, duhet ta harmonizojë praktikën e saj gjyqësore me BE-në dhe të mos shkelë të drejtat e njeriut,” tha Gjuroviq.

Ai këmbënguli që Turqia nuk ka siguruar prova të mjaftueshme për të vërtetuar akuzat e saj kundër Ayvazit.

Gjuroviq konfirmoi që Ayvaz aplikoi për azil në Mal të Zi javën e kaluar, dhe tha se një problem shtesë është komunikimi me Ayvaz sepse, ai pretendoi, në Mal të Zi ka mungesë të përkthyesve turq.

Ayvaz dhe familja e tij u larguan në Kirgistan në Azinë Qendrore pas përpjekjes së dështuar për grusht shtet në Turqi në vitin 2016, të cilën Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan fajësoi Gulenin, një ish aleat i liderit turk që jeton në mërgim të vetë-imponuar në SHBA. Gulen mohon të jetë organizator i komplotit të grushtit të shtetit.

Nga Kirgistani, Ayvaz vendosi të transferohet në Evropë në kërkim të një jetë më të mirë dhe më të sigurt për veten dhe familjen e tij.

Bashkëshortja e tij Hakime Ajvaz këmbënguli që lëvizja e burrit të saj dhe Gulen nuk kishin asnjë lidhje me përpjekjen e dështuar të grusht shtetit.

“Ne ishim dhe ende jemi duke punuar për të ardhmen e njerëzimit përmes arsimit. Burri im është një person shumë naiv dhe nuk ka sharë as edhe një herë në tërë jetën e tij,” tha Hakime Ayvaz për BIRN.

Në një letër të mëparshme për BIRN, Hakime Ayvaz sqaroi se burri i saj akuzohet se ka një abonim në gazetën Zaman të lëvizjes Gulen, përmes përdorimit të aplikacionit Bylock në telefonin e tij, për të cilin një gjykatë turke ka vendosur që është një provë e mjaftueshme për të lidhur një përdorues me lëvizjen Gulen, dhe depozitimi i parave në një llogari në Bank Asya – një bankë me lidhje me Gulen.

“Turqia kërkoi ekstradimin e tij si anëtar i FETO mbi bazën e këtyre akuzave të pabaza dhe absurde,” tha ajo.

Që nga grusht-shteti i dështuar, Ankaraja ka arrestuar dhjetëra mijëra njerëz, pushoi qindra mijëra nga punët e shërbimit publik dhe mbylli mijëra kompani, OJQ dhe institucione arsimore për shkak të lidhjeve të tyre të pretenduara me Gulen.

Qeveria e Erdoganit i referohet lëvizjes së Gulen si “Organizata Terroriste Fetullahiste”, ose FETO si shkurtesë.

Ankaraja u ka kërkuar shteteve të Ballkanit që të dorëzojnë gylenistët e supozuar dhe të mbyllin çdo institucion që lidhet me lëvizjen e klerikut mysliman.

Shumica i kanë rezistuar thirrjes së qeverisë Erdogan për ekstradime, por agjencia turke e inteligjencës ka qenë e përfshirë në dy operacione kontraverse për të dërguar prapa të dyshuarit gylenistë nga Kosova dhe Moldavia, të cilat ndezën kritika politike në të dy vendet.