LVV: Përpjekja për ‘marrëveshje’ për presidentin ka synim zgjatjen e mandatit për qeverinë Hoti

Lëvizja Vetëvendosje nuk pritet të marrë pjesë në takimin e javës së ardhshme të  paralajmëruar nga kreu i LDK-së për çështjen e presidentit.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu në një prononcim për KALLXO.com ka thënë që një përpjekje e tillë është vetëm për t’ia vazhduar mandatin qeverisë Hoti.

“Pozita e presidentit nuk është vakante, ajo po ushtrohet nga u.d. e Presidentit, znj. Osmani ashtu siç e parasheh edhe Kushtetuta. Përpjekja e koalicionit qeverisës për gjetjen e zgjidhjes për president, synim ka gjetjen e ilaqit për zgjatjen e jetës së qeverisë Hoti – qeveri kjo koti, morti e bankroti. Ajo nuk duhet të zgjasë as edhe një ditë tjetër”, ka thënë ai.

Tutje Kryeziu ka thënë që Lëvizja Vetëvendosje ka thënë që përpara zgjedhjes së presidentit vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Vendi së pari duhet të shkojë në zgjedhje të reja, të formohet kuvendi i ri, e nga aty të zgjedhet presidenti i radhës. Pra rrugëdalja është përmes zgjedhjeve të re, me një kuvend të ri e të rilegjitimuar, me kritere të dakorduara, për një figurë unifikuese për president”, ka theksuar ai.

Tutje në prononcimin e tij për KALLXO.com, Kryeziu ka thënë që të gjitha subjektet politike në përjashtim të LVV-së janë duke synuar që presidentin e radhës ta kushtëzojnë me kandidatin e tyre.

“Në rrafshin praktik është disi e pakuptimtë që LV-së t’i kërkohet ndonjë propozim të një figure unifikuese për këtë post, në kohën kur AAK thotë me këmbëngulje se ajo tashmë ka kandidatin e saj dhe nuk përkrahë ndonjë tjetër; PDK thotë se nuk ka votë për ndonjë kandidat tjetër pos nga rradhët e saja; kurse LDK thotë se ky institucion i takon PDK-së”, ka thënë ai.

“Ne po insistojmë se presidenti nuk i takon askujt sepse me të vërtetë nuk i takon. Atë duhet ta zgjedhë një kuvend i ri, pas zgjedhjeve të reja, në bazë të një sërë kriteresh që me të vërtetë e bëjnë presidentin e vendit përfaqësues të unitetit e popullit”, ka shtuar ai.

Dje, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, është shprehur i gatshëm që t’u bëjë ftesë subjekteve politike për të diskutuar për postin e presidentit.

Mustafa deklaroi se takimi për çështjen e presidentit mund të ndodhë javën e ardhshme, nëse, sipas tij, partitë politike shprehin gatishmërinë për të diskutuar.

“Ne duhet të ulemi së bashku me partitë opozitare, që duan të vijnë. Ne do t’i ftojmë edhe PDK-në dhe LVV-në dhe do të bisedojmë se cila është mundësia për me zgjedh presidentin. Se në qoftë se PDK nesër thotë se nuk jam i interesuar fare, ne duhet atëherë me u bë gati. Në qoftë se me LVV-në ulemi dhe deklarohemi dhe japin opsionet e tyre për presidentin”, u shpreh Mustafa.

Në anën tjetër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë thënë që nuk kanë vota për ndonjë kandidat që nuk vie nga kjo parti.

Mustafa: Nëse partitë pranojnë, javën e ardhshme mbahet takimi për postin e presidentit