Mustafa: Nëse partitë pranojnë, javën e ardhshme mbahet takimi për postin e presidentit

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, është shprehur i gatshëm që t’u bëjë ftesë subjekteve politike për të diskutuar për postin e presidentit.

Mustafa në TV Klan Kosova deklaroi se takimi për çështjen e presidentit mund të ndodhë javën e ardhshme, nëse, sipas tij, partitë politike shprehin gatishmërinë për të diskutuar.

“Ne duhet të ulemi së bashku me partitë opozitare, që duan të vijnë. Ne do t’i ftojmë edhe PDK-në dhe LVV-në dhe do të bisedojmë se cila është mundësia për me zgjedh presidentin. Se në qoftë se PDK nesër thotë se nuk jam i interesuar fare, ne duhet atëherë me u bë gati. Në qoftë se me LVV-në ulemi dhe deklarohemi dhe japin opsionet e tyre për presidentin. Atëherë unë nuk them që zgjidhjen e kryejmë me një takim, por që krijojmë kushte që me vazhdu me takime dhe vijmë në një zgjidhje. Në qoftë se zgjidhjen nuk e gjejmë tani, nuk jam i sigurt që do ta gjejmë pas zgjedhjeve, sepse nuk do të kemi një shumicë parlamentare”, u shpreh Mustafa.

“Takimi për me diskutu për presidentin, mund të mbajmë prej fillimit të dhjetorit, për këtë javë nuk kemi ndonjë konfirmim. Na takon neve si LDK që të bëjmë përpjekje të gjejmë edhe këtë zgjidhje, për president. Ne do t’i bëjmë ftesë formale subjekteve politike, në momentin kur ne marrim sinjale, që janë të gatshëm të vijnë. Nëse i marrim këto sinjale gjatë javës, unë jam i sigurt që do të ftojmë një takim javën e ardhshme e të flasim për parimet”, shtoi Mustafa.

Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit, ushtruese e detyrës e presidentit është kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.