Lufta në Ukrainë: Dita 23

E premtja shënon ditën e 23-të e luftës në Ukrainë, pas pushtimit të nisur nga Rusia në fund të muajit shkurt.

Sipas OKB, luftimet i kanë detyruar më shumë se tre milionë ukrainas të largohen nga shtëpitë e tyre, me mijëra njerëz të vrarë ose të plagosur dhe me dëme të shumta si pasojë e luftimeve në tokë dhe bombardimeve ajrore.

Forcat ruse të bllokuara kryesisht jashtë qyteteve të mëdha në Ukrainë i janë kthyer granatimeve të tyre nga distanca, duke përfshirë dhjetëra sulme të konfirmuara në objektet shëndetësore gjatë luftës që të enjten u fut në javën e saj të katërt.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, tha në video-fjalimin e tij të natës drejtuar kombit ukrainas se ai është mirënjohës ndaj Presidentit të SHBA Joe Biden për ndihmën shtesë ushtarake, por nuk do të thotë konkretisht se çfarë përfshin paketa e re, sepse ai nuk dëshiron që këtë informacion ta marrë vesh Rusia.

Ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë ekonomive kryesore thanë në një deklaratë të përbashkët se presidenti rus Vladimir Putin po zhvillon një “luftë të paprovokuar dhe të turpshme”.

Sulmet e pamëshirshme ruse në qytetet ukrainase duke përfshirë qytetet Chernihiv dhe Mariupol kanë shkaktuar dëme të gjera, sipas zyrtarëve ukrainas, ndërkohë që përparimi i Rusisë në Kiev duket se ka ngecur.

Një shtëllungë e madhe tymi shihet duke dalë nga një zonë pranë qytetit perëndimor të Lviv, i cili deri më tani i ka shpëtuar luftimeve të rëndësishme.

Kryebashkiaku i qytetit thotë se një zonë afër aeroportit ndërkombëtar është goditur nga raketat ruse.

Nëse sapo na jeni bashkangjitur, këto janë zhvillimet e fundit nga Ukraina:

Forcat ruse vazhduan sulmin e tyre në qytetet ukrainase të premten, duke goditur me raketa një ndërtesë pranë aeroportit të një qyteti perëndimor, Lviv, ndërkohë që liderët botërorë kërkuan një hetim të sulmeve të përsëritura të Kremlinit ndaj objektivave civile, duke përfshirë sulmet ajrore në shkolla, spitale dhe zona të banuara. Jo shumë larg kufirit polak dhe shumë prapa vijës së frontit, Lviv dhe zona përreth nuk janë kursyer nga sulmet e Rusisë, më e keqja prej të cilave vrau mbi 30 njerëz fundjavën e kaluar në një strukturë stërvitore pranë qytetit. Ndërkohë, popullsia e qytetit është rritur me rreth 200,000 banorë pasi njerëz nga vende të tjera në Ukrainë kanë kërkuar strehim atje. 

Lvivi është vetëm 80 km larg nga kufiri polak, shumë larg nga zonat kryesore të betejës në lindje dhe jug. Kjo zonë ishte kursyer nga bombardimet dhe konsiderohej një “strehë e sigurt” mirëpo pesë ditë më parë pati një sulm të ngjashëm në një strukturë stërvitore ushtarake në Yavoriv, 30 km nga Lviv.

Sipas BBC-së granatimet në qytetin e Lviv janë ndoshta në një përpjekje nga forcat ruse për ta “ndërprerë furnizimin me armë në Ukrainë”, për shkak se rrugët kryesore priren të kalojnë përmes Polonisë.

Të enjten, të mbijetuarit filluan të dilnin nga rrënojat e teatrit në portin jugor të Mariupolit pas bombardimeve të tij nga forcat ruse, sipas ish-kreut të rajonit të Donetsk. Numri i viktimave nuk dihet. Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës e quajti “përbindësh” pilotin rus që bombardoi teatrin. Pamjet satelitore të gjeolokuara nga CNN tregojnë se fjala “fëmijë” ishte shkruar me shkronja të mëdha në dy anët e ndërtesës, ku civilët ishin strehuar.

Presidenti i SHBA Joe Biden dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping do të diskutojnë pushtimin rus të Ukrainës të premten, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë. Biden do t’i bisedojë drejtpërdrejt me Xi për pasojat e mundshme të ofrimit të ndihmës ushtarake për Rusinë, tha sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë. Thirrja vjen pas pohimeve të fundit nga zyrtarë amerikanë se Rusia i ka kërkuar Kinës mbështetje ushtarake në Ukrainë. Pekini dhe Moska i kanë mohuar pretendimet në fjalë.

Rusia vazhdon të përballet me probleme logjistike në “pushtimin e saj të Ukrainës”, tha të enjten Ministria e Mbrojtjes e Britanisë. Në përditësimin e saj të inteligjencës, ministria tha se forcat ruse po pengoheshin t’i rifurnizonin “trupat e përparme edhe me gjërat thelbësore si ushqimi dhe karburanti”, për shkak të paaftësisë së tyre për ta kontrolluar hapësirën ajrore të Ukrainës dhe sfidat në terren.

Amerikani i vrarë në Chernihiv të enjten është identifikuar si James Whitney Hill nga Minesota. Ai ishte në mesin e disa njerëzve të vrarë kur artileria ruse hapi zjarr ndaj civilëve në qytet, sipas zyrtarëve të qytetit. Në postimin e tij të fundit në Facebook, Hill përshkroi intensifikimin e bombardimeve rreth vendit ku ai jetonte në Ukrainë dhe tha: “Nuk ka rrugëdalje”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu drejtua ligjvënësve gjermanë të enjten, duke tërhequr paralele midis Murit të Berlinit gjatë Luftës së Ftohtë dhe pozicionit aktual të Ukrainës jashtë BE-së dhe NATO-s. Ai gjithashtu iu referua në mënyrë eksplicite motos së post-holokaustit: “kurrë më”. Zelensky tha: “Çdo vit politikanët thonë kurrë më. Tani e shoh që këto fjalë janë të pavlera.” Udhëheqësi gjerman tha se NATO-ja nuk do ta rrezikojë një përshkallëzim në Ukrainë duke ndërhyrë me forcë ushtarake.

Ish-guvernatori i Kalifornisë i bëri një thirrje të pasionuar popullit rus në një video të postuar në rrjetet sociale, duke i kërkuar që t’i rezistojnë dezinformatave të Kremlinit. “Unë i bëj thirrje popullit rus dhe ushtarëve rusë në Ukrainë që ta kuptojnë propagandën dhe dezinformatat që po ju thonë. Unë ju kërkoj të më ndihmoni ta përhap të vërtetën,” tha ai./CNN, Associated Press, BBC