Llugaliu: Supozohet se gjatë kohës së barrikadave ka pasur aktivitet të rritur të kontrabandës në veri

Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, deklaroi se supozohet që gjatë kohës së barrikadave në veri të vendit ka pasur edhe aktivitet të shtuar të kontrabandës.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” bëri të ditur se veriu ka terren të vështirë për t’u kontrolluar.

“Ne supozojmë që ka pasur aktivitet të shtuar të kontrabandës gjatë kohës kur rrugët kanë qenë të bllokuara. Veriu ka terren të vështirë për t’u kontrolluar dhe ka shumë rrugë, madje Serbia ka investuar në infrastrukturë”- tha ai.

Sipas tij, kontranbandë ka në vazhdimësi, sidomos në zonat kufitare që bëhet nga vetë banorët por, me largim të barrikadave është ndalur në masë të madhe.

“Ka kontrabandë, në vazhdimësi ka pasur. Te pjesa në zonën kufitare bëhet nga vetë banorët, kjo është një lloj kontrabande e shkallës së ulët. Me vendosjen e rendit, pas barrikadave ne i kemi informacionet se është ndalë në masë të madhe”- shtoi tutje Llugaliu.

Sipas tij, ndalja e kontrabandës në zero nuk është e mundur në asnjë shtet.,

Llugaliu thekson se edhe nga Kosova ka mallra që depërtojnë në Serbi, Maqedoni të Veriut e Mal të Zi.