Lija e majmunëve, foto shkencore Burimi: BBC

Lija e majmunëve konfirmohet edhe në Çeki dhe Slloveni

Emiratet e Bashkuara Arabe, Republika Çeke dhe Sllovenia, janë tre shtetet e reja ku janë shfaqur raste me linë e majmunëve.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe, zyrtarët shëndetësorë njoftuan se një rast ishte zbuluar në një udhëtar që kishte vizituar së fundmi Afrikën perëndimore dhe tani po merr trajtim mjekësor, shkruan BBC.

Autoritetet atje thonë se janë plotësisht të përgatitur për të trajtuar çdo shpërthim të mundshëm, duke shtuar se protokollet e mbikëqyrjes për zbulimin e sëmundjes ishin në fuqi.

Deri më tani, 18 shtete në të gjithë botën kanë raportuar rastet me linë e majmunëve. Ky numër pritet të rritet edhe më tej, por ekspertët thonë se rreziku i përgjithshëm për popullatën e përgjithshme mbetet i ulët.

Rastet e konfirmuara më parë janë identifikuar në shtetet si: Australi, Belgjikë, Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Holandë, Portugali, Spanjë, Suedi, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë nga një deri në pesë raste.

Simptomat fillestare të lisë së majmunit janë tipike të ngjashme me gripin, të tilla si ethe, të dridhura, rraskapitje, dhimbje koke dhe dobësim të muskujve./Euronews Albania