Licencohen mjekët nga ShBA-ja dhe Italia që do t'i operojnë fëmijët me anomali në zemër

Për një javë rresht, në muajin shtator, do të qëndrojë në Kosovë organizata “Gift of Life International”, e cila do të operojë fëmijë me anomali në zemër.

Ky grup i mjekëve, të cilët do të qëndrojnë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) nga data 10-17 shtator, janë licencuar nga nga Ministria e Shëndetësisë.

“Bordi për licencim të profesionistëve shëndetësorë qytetar jo-kosovar i MSh-së, në pajtim me UA  06/2012 për licencimin e përkohshëm të profesionistëve shëndetësor qytetar-jokosovar ka licencuar ekipin e profesionistëve shëndetësor (mjekë, infermierë, instrumentarë të sallave të operacionit, etj), të cilët në periudhën 10-17 shtator 2022 do të ofrojnë shërbime kardiologjike pediatrike si pjesë e misionit të “Gift of Life International”, pjesë e kontributit të tyre mjekësor humanitar për fëmijët me probleme shëndetësore në zemër të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KALLXO.com.

Operacionet që do të kryhen falas nga ekipet e “Gift of Life” nuk janë të mundshme të bëhen nga mjekët në Kosovë, por janë edhe tejet të kushtueshme.

Në shtator ky mision i organizatës “Gift of Life” do të përfundojë.

Ministria e Shëndetësisë e pyetur nga KALLXO.com se si do të vazhdojë kujdesi ndaj këtyre fëmijëve pas shtatorit, ka thënë se Ministria është duke planifikuar rritjen e shërbimeve pediatrike “në kuadër të programit të ministrit Latifi për të transformuar shëndetësinë në Kosovë”.

“Sa u përket planeve në perspektivë, në kuadër të programit të tij për transformimin e shëndetësisë (pjesa Qendrat dhe Programet e Avancuara Klinike), Ministri Latifi ka paraparë krahas zhvillimit të Sistemit të Traumës dhe Emergjencës, ndër të tjera edhe Qendrën e Avancuar të Kardio-kirurgjisë pediatrike dhe për të rritur dhe pediatrinë torakale gjithashtu, me qellim që për fëmijët në Kosovë, të ofrohen shërbime të avancuara që sot nuk realizohen në SHSKUK”- thuhet më tej në përgjigjen e Ministrisë.

Sipas ShSKUK, në 1000 fëmijë të lindur në Kosovë prej tyre 8-10 fëmijë lindin me probleme në zemër. Prej tyre 6-8 kërkojnë ndonjë intervenim.

Në muajin korrik të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se është iniciuar krijimi i shërbimit të kardiokirurgjisë pediatrike për fëmijët me sëmundje kongjenitale të zemës.

Në njoftimin e Ministrisë theksohet se ministria do të sigurojë trajnim të personelit dhe do bëjë furnizim me pajisjet e nevojshme, ku mjekët do të dërgohen për trajnim jashtë Kosovës.

“Pasi që trajnimi i kardiokirurgëve, infermierëve dhe personelit tjetër është parashikuar të fillojë në muajin Shtator 2022, Ministri Latifi ka kërkuar nga menaxhmenti i SHSKUK-së që sa më herët të identifikojë personelin përkatës që do të dërgohet për trajnim jashtë Kosovës në një nga vendet me sistemin më të zhvilluar në botë për kardiokirugji te fëmijët”- theksohej tutje në njoftimin e Ministrisë, të muajit korrik.