
Takimi i kryetarëve të degëve të LDK-së Foto: LDK
LDK mbledh Kryesinë
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se sot do të mblidhet kryesia e kësaj partie.
Sipas njoftimit, kryesia do të mblidhet në orën 10:00.
Mbledhja e kryesisë së LDK-së, vjen pas bllokadës së krijuar në mes kësaj partie dhe Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e koalicionit qeverisës.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dje ka konfirmuar se bisedimet për koalicion qeveritar me LDK-në nuk kanë prodhuar marrëveshje.
Në një deklaratë të lëshuar në Facebook, Kurti ka thënë se bisedimet nuk kanë prodhuar rezultat.
Një ditë para se Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit të konstituohet, Kurti ka thënë se do të provojë të gjejë një zgjidhje deri në momentin e fillimit të seancës, e cila është thirrur për sot në orën 15:00.
Kurse, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar pas njoftimit nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje për dështimin e bisedimeve për formimin e koalicionit qeverisës mes këtyre dy partive.
Isa Mustafa thotë se për të dhe LDK-në, negociatat nuk kanë dështuar.
“Ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së”, ka shkruar Isa Mustafa në Facebook.