Një automjet me targa të Serbisë i ka mbuluar simbolet shtetërore me letra ngjitëse, 4 tetor, 2021. Foto: Bujar Terstena, REL

Lajçak për marrëveshjen për targat: Topi është në fushën e Qeverisë së Kosovës

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka përmendur marrëveshjen për targat e automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak tha se për momentin “topi është në fushën e Qeverisë së Kosovës”, pasi sipas tij janë duke e pritur Qeverinë për t’i informuar se cilët duhet të jenë hapat e radhës.

“Grupi punues është angazhuar për gjashtë muaj, është takuar tetë herë por ende nuk ka arritur të prodhojë një listë rekomandimesh të përbashkëta me qëllim të marrjes së vendimit politik. Aktualisht, ne jemi duke pritur Qeverinë e Kosovës që të na informojë se cilët duhet të jenë hapat e radhës, sepse për momentin topi është në fushën e Qeverisë së Kosovës, sepse nuk mund të bëhet shumë nga ana jonë në këtë pikë”, tha Lajçak në një intervistë për “Kallxo Përnime”.

I pyetur se pse topi është në anën e Kosovës, Lajçak tha se Kosova mund të zbatojë pjesët e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, për tabelat e regjistrimit të veturave për vitet 2011 deri në vitin 2016, dhe të veprojë në përputhje me to.

Ndërkaq kur është pyetur se pse nuk është topi në anën e Serbisë, Lajçak ka shtuar se kjo nuk është deklaratë negative.

“Në fakt përkundrazi është pozitive, sepse ne nuk po e detyrojmë Kosovën që të bëjë diçka, por po e lusim Qeverinë e Kosovës të na tregojë propozimin e vet për të vepruar në një situatë kur nuk ka marrëveshje në mes të dy palëve. Kjo ishte deklaratë pozitive, pra”, tha ai.

Emisari i BE-së theksoi se sa u përket atyre “stikers”-at mund të përdoren edhe deri në arritjen e zgjidhjes përfundimtare, mirëpo sipas tij ka disa dispozita në këtë marrëveshje e që nuk janë zbatuar por që duhet të adresohen.

Lajçak tha se është fjala për tabelat e regjistrimit të veturave që lëshohen nga Serbia dhe përdoren në Kosovë e që do të duhej të ishin hequr nga përdorimi para shumë vitesh.

“Natyrisht, njëra nga to është edhe pika për tabelat KM, e që duhet të adresohet”, theksoi Lajçak.

Lajçak ka folur edhe për çështjen e njohjes së diplomave duke thënë se kjo temë ende nuk ka qenë pikë e agjendës së dialogut në të cilin është i përfshirë.

Ndërkaq, në shtator të vitit të kaluar është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë rreth çështjes së targave të automjeteve.

“Ne kemi një marrëveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-përshkallëzimin dhe rrugën përpara sapo është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe pajtuar për të mirën e njerëzve”, kishte njoftuar përmes një postimi në Twitter Lajçak.

Arrihet marrëveshja për targat në mes Kosovës dhe Serbisë