Lajçak kërkon themelimin e Asociacionit: Vetë e keni nënshkruar marrëveshjen

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka kundërshtuar ata që po shprehen se tash nuk është koha e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Kur, nëse jo tash? Vetë e keni nënshkruar marrëveshjen”, ka thënë ai për “Wienerzeitung”.

“Është një çështje shumë e ndjeshme për të cilën ka folur edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës – dhe ky mendim duhet të merret parasysh. Por ata që kundërshtojnë se tani nuk është koha e duhur për të, unë pyes: “Kur, nëse jo tani? Ju e nënshkruat vetë këtë marrëveshje.” Ky është procesi dhe koha është e përshtatshme. Qëllimi ynë është një marrëveshje që rregullon të gjitha pikat e hapura ose ende të pa adresuara. Me miratimin në 2013/2015 vjen detyrimi për ta zbatuar atë. Asnjë çështje për të cilën ne negociojmë nuk është e lehtë. Por nëse e ndërpresim përsëri dialogun, do të na duhet ta rifillojmë”, ka thënë ai.

Çështja e Asociacionit është temë që po kërkohet me ngulm të diskutohet nga pala serbe. Ndërsa për Kosovën po konsiderohet “temë e mbyllur”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2015 kishte marrë vendim në lidhje me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe.

Kërkesa për përputhshmërinë e parimeve të kësaj marrëveshje ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga atëherë presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

Në vendimin e Kushtetueses thuhej që parimet e përgjithshme, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses, duke e bazuar këtë në nenin 3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.

Megjithatë është dhënë aprovimi për të vazhduar me themelimin e Asociacionit dhe kjo krejt i është lënë në dorë Qeverisë së Kosovës dhe dekretit që pritet të miratohet dhe dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“(Gjykata Kushtetuese) konstaton që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [paragrafi 1, me Kapitullin II dhe III, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre” , thuhet në vendimin e GJK-së./RTV21