Lajçak dhe komandanti i KFOR-it: Vendimi për Urën e Ibrit të merret në kuadër të dialogut

“Çdo vendim që lidhet me Urën e Ibrit në Mitrovicë duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, është vlerësimi i përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak dhe komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutash.

Kështu u tha në takimin që këta të dy patën të martën më 18.06.2024, sipas njoftimit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR.

“Ata gjithashtu rikonfirmuan se çdo vendim në lidhje me urën e Mitrovicës duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin NATO vazhdon ta mbështesë, duke përfshirë përpjekjet e KFOR-it. Ky është çelësi për sigurinë e të gjitha komuniteteve. KFOR-i mban një prani fikse në urën e Mitrovicës dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth” – thuhet në njoftim.

Lajçak e Ulutash kanë folur për një sërë temash me interes të ndërsjellë që ndikojnë në një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe kanë vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë mes KFOR-it dhe BE-së.

Për Urën e Ibrit, Lajçak foli edhe pas takimit që pati sot me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi.

“Pozicioni i Bashkimit Europian ka qenë që ura të jetë e hapur, por duhet të bëhet në një mënyrë që nuk e eskalon situatën më terren dhe prandaj idealisht duhet të diskutohet me njerëzit e prekur dhe kam ofruar që të diskutohet në dialog që të bëhet në frymën e atmosferës së mirë dhe marrëdhënieve të mira” – ka thënë Lajçak para mediave.

Hapja e Urës së Ibrit është diskutuar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut më 31.05.2024, çështje e ngritur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kryesuesi i këtij Kuvendi, Nexhat Ugljanin ka konsideruar se hapja e urës së Ibrit për lëvizje të lirë të qytetarëve dhe automjeteve është çështje që tashmë i takon Qeverisë së Kosovës.

“Ne, asnjë letër nuk e kemi marrë as nga Ministria e Pushtetit Lokal e as nga Ministria e Punëve të Brendshme … Sigurisht janë kompetencat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe bashkësisë ndërkombëtare për me e zgjidh [këtë çështje]. Por, ne s’mundemi dhe s’kemi të drejtë si Kuvend Komunal me bisedu sepse pasi e kemi pru vendimin, hapat duhet me i marrë qeveria”- ka thënë Ugljanin.

Ura mbi Ibër që nga viti 1999 është kthyer në “simbol” të ndarjes së Mitrovicës, në jug dhe veri. Në jug- shumica shqiptare, në veri- shumica serbe.

Kjo urë, në vitin 2011 ishte kthyer edhe në simbol të barrikadave nga serbët lokalë.

Në vitin 2014, barrikada u zëvendësuan me gardhe betoni e me pemë, të cilat u quajten si “Parku i Paqes”.

Në vitin 2016 u hoq ky park dhe u planifikua që ura të hapet për qarkullim.

Në prill të vitit 2023, në Kuvendin i Komunës së Mitrovicës së Veriut është marrë vendimi për hapjen e kësaj ure. Por, ky vendim nuk është zbatuar ende.