Kushtetuesja vendosi rreth kundërshtimit të 30 deputetëve ndaj vendimit të Thaçit për zgjedhjet në Podujevë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesën e 30 deputetëve rreth zgjedhjeve në Podujevë.

30 deputetë të Kuvendit kishin kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësonte vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë.

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi më 14 mars 2020 kishte marrë vendim që zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë të shtyheshin për një periudhë të pacaktuar.

Kundër këtij vendimi kishin dalë Hajrullah Çeku dhe 29 deputetë të tjerë, të cilët e kishin vlerësuar si antikushtetues vendimin e presidentit.

Ata pretendonin se shtyrja e zgjedhjeve nga presidenti është në kundërshtim me kompetencat e tij, të drejtat zgjedhore dhe parimet e përgjithshme.

Me këto pretendime 30 deputetët i ishin drejtuar Gjykatës Kushtetuese me qëllim që të vlerësonte vendimin e presidentit.

Duke vendosur sipas kërkesës së deputetëve, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se nuk mund të vendosë më për këtë çështje pasi që zgjedhjet janë shpallur nga ish-presidenti për datën 29 nëntor dhe se që nga koha e paraqitjes së kërkesës rrethanat kanë ndryshuar.

“Pozita e tanishme, përkatësisht caktimi i datës së zgjedhjeve është rrethanë e tillë e cila konsiston në atë që kërkesa në fjalë, tashmë nuk ka arsyetim dhe se qëllimi që është kërkuar të arrihet, tashmë është arritur plotësisht”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Pra, sipas Kushtetueses, caktimi i datës së zgjedhjeve është rrethanë e tillë e cila konsiston në atë që kërkesa e deputeteve tanimë nuk ka arsye dhe se ajo çka është kërkuar nga ta është arritur plotësisht me shpalljen e zgjedhjeve.

Bazuar në këtë fakt gjykata ka konsideruar se tanimë nuk ka objekt të shqyrtimit.