Mimoza Kusari-Lila

Kusari – Lila për zgjedhjet e reja: Nuk mund të pranohet dhuna si standard që shtyn përpara kërkesat

Kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila, teksa ka folur për mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të reja për komunat në veri, ka thënë ato duhet të jenë me forma demokratike të parapara me ligj.

Ajo ka thënë se nuk mund të pranohet që dhuna si standard të shtyjë përpara kërkesat, por sipas saj, në forma të tjera demokratike ato shqyrtohen.

“S’mund të pranohet që dhuna si standard shtyn përpara kërkesat, por në forma të tjera demokratike shqyrtohen. Askush si ka bërë presion kryetarëve të dorëhiqen, dihet që ai presion apo urdhër ka ardhë nga Beogradi. Në frymën e mirëfilltë të demokracisë, të gjitha vendimet do të jenë në atë vazhdë por jo në formën se si kërcënohen apo shantazhohen kryetarët e zgjedhur në veri”- ka thënë ajo.

Kusari – Lila ka përmendur dy procedurat për shpalljen e zgjedhjeve të reja.

“Dihen procedurat, njëra me dorëheqje, njëra me nënshkrime të listës së votuesve, dhe dorëzimi dhe shqyrtimi nga MAPL, dhe vendosja për datën, në cilëndo formë mbetet të shihet, por duhet të jetë me forma demokratike të parapara me ligj, dhe jo në mënyrën si e kishim shpërfaqjen e mospranimin kinse nga thuhej nga komuniteti serb, pamë çka ndodhi me veprimet e dhunshme ndaj KFOR-it nga grupe kriminale ” – ka thënë ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar bisedë telefonike me zëvendës-këshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jonathan Finer.

Kurti në bisedën e tij ka theksuar se është i angazhuar të punojë së bashku me SHBA-të, për shtensionim të situatës në veri të vendit. Ai ka shtuar se për tu arritur kjo, kërkohet ndalim i menjëhershëm i dhunës nga turmat kundër policëve, deri në zgjedhjet e reja në ato komuna.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar për mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.
Osmani ka thënë se ligjet e Kosovës e mundësojnë një gjë të tillë nëse ka përqindje të qytetarëve në veri që iniciojnë procedurat.

“Ligjet tona lejojnë zgjedhje të reja nëse ka përqindje të caktuar të qytetarëve që iniciojnë një procedurë të tillë, në qoftë se ka procedura të tilla institucionet tona detyrohen të veprojnë. U takon qytetarëve të këtyre komunave që a dëshirojnë zgjedhje të reja. Ekziston rruga ligjore për t’i organizuar ato shumë shpejt, i procedojnë peticionet e tyre”- ka thënë Osmani.

Që nga 26 maji 2023, serbët në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq po vazhdojnë protestën e tyre për të pestën ditë më radhë.

Ata po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill 2023 në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, kishte bërë thirrje për bojkotim të këtyre zgjedhjeve.