Kurti viziton edhe Mitrovicën: Qeveria dhe komunat po punojnë në mbështetjen e qytetarëve

Përveç Skenderajt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka vizituar edhe komunën e Mitrovicës.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti ka thënë se ka dëme të konsiderueshme në ndërtesa e infrastrukturë publike, shtëpi banimi, ferma bujqësore e biznese.

“Në Skënderaj janë rrënuar ose dëmtuar nëntë ura të vogla kurse në Llaushë vizituam një fermer të cilit i janë mbytur mbi 10 mijë pula. Nëpër muret e ndërtesave kishte ngelur lart vija e gjurmës deri ku kishte arritur përmbytja ndërkaq brigjet e deformuara të lumenjve si dhe arat rrotull janë përplot bërllog” – ka shkruar kryeministri.

Ndërsa në fshatin Lisicë të Mitrocës, Kurti ka thënë se vërshimi është si pasojë e shtyrjes për afër 300 metra të rrjedhës së lumit Ibër, si rezultat i ndërtimit të stadiumit në pjesën veriore të qytetit.

“Ibri e Sitnica janë bërë bashkë dhe janë shndërruar në liqe. Ka jo pak kafshë të ngordhura, andaj edhe rrezik për epidemi. Pas takimeve me kryetarët e këtyre dy komunave, Fadil Nurën dhe Bedri Hamzën, vizituam bashkë disa vendbanime të përmbytura” – ka shkruar tutje kryeministri.

Ai ka thënë se Qeveria dhe komunat janë duke punuar bashkë në mbështetjen e qytetarëve dhe tejkalimin e kësaj situate.