Kurti takohet me deputeten britanike Kearns, flasin për sulmin terrorist në Banjskë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim deputeten dhe Kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e madhe të saj për Republikën e Kosovës.

“Në takim u theksua që prioritet kryesor për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve.U tha se pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje.U bisedua për përkushtimin e plotë për zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeminsitrit.

Deputetja Alicia Kearns po qëndron për vizitë në Kosovë. Ajo dje është takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.