Kurti: Takimi i Thaçit me Vuçiqin një dështim i dobishëm për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për takimin e mbrëmshëm të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë.

Kurti ka deklaruar para gazetarëve se presidenti fillimisht është dashur të takohet me kryeministrin e Republikës, në mënyrë që të diskutohet dhe të dakordohet për politikën e jashtme.

“Ne duhet ta kemi një politikë të unifikuar të jashtme si Republikë e Kosovës dhe është gabim dhe dëm që nuk ka ardhur në institucionet tona para se të provojë të bëjë dakordime me presidentin e Serbisë”, tha Kurti.

Ndërsa takimin e dy presidentëve, Kurti e quajti dështim të dobishëm për Kosovën.

“Në anën tjetër morra vesh që po kthehet presidenti nga ShBA, duket pa një deklarim të përbashkët me presidentin e Serbisë, se lëre më pa marrëveshje dhe fakti që nuk kanë një marrëveshje presidenti i Kosovës me presidentin e Serbisë, besoj që është një dështim i dobishëm për Republikën e Kosovës”, deklaroi Kurti.

Ai foli edhe për pretendimet për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Sierra Leone, duke thënë se për këtë duhet të pytet ministri Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.