Takimi Kurti- Sinanin. Foto: Facebook/Albin Kurti.

Kurti pret Ardita Sinanin, i uron postin e kryetares së Preshevës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Ardita Sinanin, kryetaren e re të Komunës së Preshevës të cilës ia ka uruar fitoren në zgjedhjet që janë mbajtur më 02.06.2024.

“E urova për fitoren bindëse dhe e përgëzova për suksesin e arritur. Krahas punës që po vazhdon në njësinë zgjedhore në Leran të Preshevës, meqë aty do të ketë rivotim të enjten e javës që po vjen, Arditën tani e pret një punë tjetër e rëndësishme për ndërtimin e një koalicioni të fortë për një qeverisje të qëndrueshme e në shërbim të qytetarëve. Për këtë të fundit më njoftoi se tashmë ka filluar angazhimin e saj të plotë e të sinqertë”- ka shkruar Kurti në Facebook më 07.06.2024.

Ai ka thënë se vëmendja dhe mbështetja për Preshevën e Qeverisë që ai drejton, vetëm sa do të rritet e shtohet.

Në zgjedhjet komunale të mbajtura më 2.06.2024, Ardita Sinani, nga Partia për Veprim, fitoi zgjedhjet për kryetare të Preshevës.

Sinani dhe partia e saj është mbështetur nga kryeministri Kurti në zgjedhjet e mbajtura në Luginën e Preshevës.

Ardita Sinani ishte zgjedhur kryetare e Preshevës edhe në vitin 2021. Por, një vit më pas, më 11.04.2022 ishte shkarkuar nga posti i të parës së Preshevës.

19.09.2022, kryeministri Albin Kurti e kishte emëruar Ardita Sinanin, këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Sipas njoftimit të asaj kohe të Qeverisë së Kosovës, ky është hapi i parë drejt themelimit të Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, zyrë të cilën do ta koordinojë Ardita Sinani.

“Kjo zyrë do të jetë në funksion të përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve në këto komuna, ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe shtimin e bashkëpunimit institucional për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të tyre, si nevojë dhe domosdoshmëri e kohës” – thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit më 19.09.2024.