Kurti për protestën e paralajmëruar: Nuk mund t’i ndaloj qytetarët të shprehen

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka komentuar një thirrje për protestë për datën 4 maj që ka qarkulluar ditëve të fundit në rrjetet sociale.

Thirrja për protestë është bërë për datën 4 maj pasi të përfunon vendimi aktual lidhur me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve

Kurti ka thënë se nuk është i informuar për organizim të protestës por ka thënë se duhet respektuar vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë sa i përket masave mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19.

“Unë nuk mundem t’i ndaloj dhe nuk dua t’i ndaloj qytetarët të shprehen sepse si qeveri në detyrë ne jemi të thirrur që të garantojmë lirinë e shprehjes për qytetarët e Republikës. Tash jemi në një situatë pandemie dhe duhet respektuar vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe këshillat e mjekëve”, tha ai.

Gjithashtu, Kurti tha se shpreson që qytetarët që kanë bërë thirrje për këtë protestë të mos ftohen në polici ashtu siç është ftuar Këshilltari i tij, Shkëlzen Gashi pas një thirrjeje për rezistencë.

Gashi pastaj është liruar pasi sipas prokurorisë nuk janë gjetur elemente të veprës penale.

“Urojmë që sikurse që e thirrën Shkëlzen Gashin, të mos ketë prokuror e polic të cilët i thërrasin në biseda informative. Bisedat informative i përkasin shekullit të kaluar”, tha ai.