Kurti: Për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, duhet krijuar kushte pa banda kriminale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë dhënë për median franceze “France 24” ka deklaruar se zgjedhjet në katër komunat veriore do të mbahen sipas rendit dhe ligjit.

“Duhet të ketë vendosje të rendit dhe ligjit. Pa ligj nuk mund të ketë zgjedhje demokratike”, është shprehur Kurti

Kurti tha se është i interesuar për konstruktivitet, rend dhe ligj, dhe jo dështime të njëpasnjëshme.

“Nuk dua dështim pas dështimit. Dua të angazhohem për konstruktivitet, rend, ligj dhe demokraci. Për këto nuk ka kompromis. Sot në tri komunat veriore situata përgjithësisht ishte e qetë. Pse? Sepse nuk ka pasur urdhër për dhunë nga Beogradi”, u shpreh ai.

Kryeministri theksoi se në veri është mbrojtur kushtetushmëria.

Dhe kjo shton Kurti ka ndodhur, përkundër që Beogradi ka menduar se në katër komuna do të dështojë sistemi.

“Nuk ju kanë dalë llogaritë. Kanë menduar se atje do të dështojë sistemi, por nuk ka ndodhur. Janë katër kryetarë. Nëse nuk do të hyjnë në ndërtesa zyrtare, ku duhet të hyjnë? Nëse ato s’janë për ta, për kë janë?”

Kurti duke përmendur zgjedhjet e reja në komunat veriore, tha se duhet krijuar kushte pa banda kriminale.

“Ne kemi për ta mbrojtur kushtetutshmërinë. Këta katër kryetarë nuk shoh se do ta përfundojnë mandatin. Brenda muajsh mund të kemi zgjedhje, por nuk duhet të ketë banda. Duhet pasur kushte për zgjedhje të parakohshme”, tha Kurti për mediumin France 24./Telegrafi