Kryeminstri Albin Kurti në ceremoninë përmbyllëse të procesit të regjistrimit të popullsisë, Foto: ZKM

Kurti pas përfundimit të regjistrimit të popullsisë: Të dhënat e mbledhura do të jenë bazë për politika, strategji e vendime më të mira

Pas më shumë se një muaji që zgjati procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka organizuar një ceremoni përmbyllës për këtë proces.

Në këtë ceremoni përmbyllëse të procesit të regjistrimit të popullsisë ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Kurti është shprehur i lumtur për përfundimin, siç e ka konsideruar ai, me sukses të regjistrimit të popullsisë, pas plot 13 viteve kur është bërë herën e fundit, më 2011. 

Pasi e ka vlerësuar si një etapë shumë të rëndësishme të progresit të Kosovës, Kurti i ka falënderuar të gjithë qytetarët që u interesuan të regjistrohen dhe stafin e regjistruesve të ASK-së.

Sipas Kurtit, të dhënat që janë mbledhur në këtë proces janë të rëndësishme pasi që do të ndihmojnë në planifikimin e së ardhshmes.

“Të dhënat e mbledhura do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira, për një zhvillim edhe më të hovshëm e më të qëndrueshëm të vendit tonë. Në veçanti i falënderoj edhe partnerët tanë ndërkombëtarë për bashkëpunimin. Së bashku mund të arrijmë gjithçka, të jemi edhe të numëruar edhe të lumtur” – është shprehur Kurti.

Nga Zyra e Kryeministrit janë shprehur mirënjohës për mbështetjen dhe kontributin që kanë dhënë për realizimin dhe përfundimin e këtij procesi institucionet ndërkombëtare si: Eurostat, UNECE, UNFPA, UNDP dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare në Kosovë.

Më 17.05.2024 ka qenë dita e fundit e procesit të regjistrimit të popullsisë, atyre rezidentë dhe diasporës, proces ky që nisi më 05.04.2024. Por, pas kërkesës së disa komunave (Dragashit, Prishtinës, Prizrenit, Drenasit, Fushë-Kosovës, Skenderajt, Obiliqit, Ferizajt, Shtërpcës, Kaçanikut dhe Gjakovës), procesi i regjistrimit të popullsisë është shtyrë deri dje, më 24.05.2024. Ndërsa regjistrimi i diasporës përmes platformës e-Diaspora është shtyrë deri më 31.08.2024.

Sipas ASK-së, deri më 17.05.2024 janë regjistruar mbi 1,4 milion banorë rezidentë në Kosovë.

Kurse në diasporë deri më 17.05.2024 janë regjisitruar 400 mijë persona. Diaspora mund të regjistrohet online në këtë LINK.

Në këtë regjistrim që është i dyti pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova ka regjistruar edhe diasporën përmes procedurës online, ku mund të regjistrohen edhe ata qytetarë që nuk kanë shtetësi të Kosovës, por ndihen ose e konsiderojnë veten si diasporë.

Regjistrimi për banorët në Kosovë është obligativ/ligjor dhe në rast të mospjesëmarrjes janë paralajmëruar edhe gjoba nga 200 deri në 2 mijë euro, derisa regjistrimi i diasporës është vullnetar.

Në procesin e regjistrimit në vitin 2011 Kosova pati rreth 1,739,825 milionë banorë. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk ishte mbajtur në katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan dhe kryesisht edhe nga ato të banuara me shumicë serbe në ju të Kosovës.

Raportimet e KALLXO.com në lidhje me procesin e regjistrimit të popullsisë i gjeni në këtë LINK.