Kurti: Opozita më shumë kishte pakënaqësi sesa mospajtueshmëri

Kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka vlerësuar si pozitiv takimin me liderët opozitarë, Memli Krasniqin nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lumir Abdixhikun nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

“Takimi që pata sot në mëngjes me krerët opozitarë ishte takim shumë i mirë, njoftues për situatën politike dhe të sigurisë, me bashkëbisedim të hapur dhe serioz, përshtypja ime është që krerët opozitarë janë më shumë të pakënaqur sesa mospajtues”, tha Kurti në një deklaratë për gazetarët.

Kurti komentoi edhe ikjen e shpejtë të kreut të AAK-së, Ramush Haradinajn, si dhe deklaratën e tij se po prishen raportet me SHBA-të.

“Nuk bëhet fjalë për kurrfarë prishje të raporteve siç e kam thënë edhe dje, koordinimi, komunikimi, kontaktet me QUINT, BE, NATO, KFOR, janë të vazhdueshme ndodhin disa herë në ditë, prandaj nuk është e vërtetë që ka cenim të raporteve, ka dendësi të komunikimit e bashkërendimit”, theksoi ai.

Kurti po ashtu komentoi edhe deklaratën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikun i cili pas takimit me Kurtin tha që qeveria nuk ka plane për situatën e krijuar.

“Nuk është e vërtetë që nuk e dimë në çfarë rruge jemi duke shkuar, rruga jonë është e ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, e lirive dhe të drejtave të njeriut e cila bëhet në përputhje në mandatin tonë, vullnetin e popullit, dhe në koordinim me aleatët”, tha Kurti.

Mëngjesin e sotëm, kryeministri Kurti i priti në takim liderët opozitarë për të diskutuar për situatën në veri të vendit.

Të shtunën serbët morën vendim që të largohen nga institucionet në Kosovë si shenjë pakënaqësie për vendimin e qeverisë për konvertimin e targave nga ato ilegale në RKS.

Abdixhiku: Kërkuam nga Kurti koordinim me aleatët ndërkombëtarë