Abdixhiku: Kërkuam nga Kurti koordinim me aleatët ndërkombëtarë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është deklaruar për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.

Abdixhiku tha se kanë kërkuar nga Kurti koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë për situatën në veri të vendit.

Ai tha se gjatë takimit kryeministri nuk ka paraqitur një plan konkret për të dalë nga situata.

“Ne si LDK jemi përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit  për të diskutuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe në këtë ftesë kemi shpreh gatishmërinë për të mbështetur çdo hap që synon ligjshmërinë në vend dhe çdo hap që synon koordinimin me aleatë tanë në Evropë dhe Uashington. Në këtë pjesë nuk kuptuam diçka më të re sesa deklarimet publike të Kurtit, nuk pamë ndonjë plan konkret për zgjidhjen e çështjes së të krijuar dhe ndonjë lëvizje për koordinim me aleatët tonë”- tha ai.

Kryetari i LDK-së tha se do të kërkojnë vazhdimisht koordinim me aleatët ndërkombëtarë ndërsa për takime të tjera me Kurtin, tha se mbetet të shihet.

“Kërkojmë koordinim të plotë me aleatët tanë për ta stabilizuar situatën e sigurisë në veri të vendit. Nuk pamë plan dhe nuk dëgjuam ndonjë plan për të dalë nga kjo situatë. Ne kërkuam plan konkret dhe koordinim me aleatët tanë. Një qeveri që i kërkon popullit të tij të zgjedh në mes aleatëve dhe ligjshmërisë, ka bërë gabim. Nuk ka koordinim të tillë deri sa nuk ka konfirmim nga aleatët”- theksoi Abdixhiku.

Kryeministri Kurti ka ftuar dje liderët opozitarë në takim në lidhje me situatën në veri.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Si reagim ndaj kësaj, Lista Serbe më 5 nëntor 2022 ftoi takim të jashtëzakonshëm me zyrtarë serbë pjesë e institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj mbledhje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e atë gjyqësor.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS, duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Më 6 nëntor, në stacionet policore në zonën e veriut të Kosovës ka pasur vazhdimisht zyrtarë policorë që kanë dorëzuar fletëdorëheqjet e tyre, e ndërsa sot disa nga ta janë parë edhe duke dorëzuar armët e pajisjet e tjera.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Dje, deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar zyrtarisht mandatet. Po ashtu edhe ministrat kanë dorëzuar zyrtarisht detyrën.