Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Nuk kemi nevojë as interes për partitë tjera në qeveri

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidat për kryeministër, në një adresim për mediat në orët e vona të natës së zgjedhjeve, tha se rezultati zgjedhor i konfirmon LV-së, se nuk kanë nevojë dhe nuk kanë interes partitë tjera, për çfarë shtoi se duhet të reformohen në opozitë.

Ai tha se qytetarët në këto zgjedhje u bën bashkë, morën pjesë masivisht, dhe u vërtetua se zgjedhjet ishin referendum.

“Ky referendum është për drejtësi e punë dhe kundër kapjes së shtetit e korrupsionit”, tha Kurti.

Ai tha se nga nesër fillon një ditë e re. Rruga përpara është e gjatë dhe nuk do jetë e lehtë, paralajmëroi Kurti.

“Do të bëjmë ndonjë gabim, por qëllimi është i mirë dhe ne besojmë”, tha kandidati i LV-së për kryeministër, në adresimin për media që bënë në orët e vona bashkë me U.D. e presidentes Vjosa Osmani.

Kurti, tha se Kosova do të jetë vend i së drejtës për të gjithë.

“Secili nga ne duhet të marrë përgjegjësinë që na takon, që ta bëjmë vendin tonë një vend të dëshirueshëm për të gjithë. Ne nuk do të hakmerremi ndaj askujt, por do të kërkojmë përgjegjësi nga secili”, tha Kurti.

Ai ka falënderuar gjithë qytetarët e Kosovës e në radhë të parë mërgimtarët.

“Sepse kjo ditë do të mbahet në mend për rreshtat e gjatë të qytetarëve që prisnin në radhë për të votuar. Për mërgatën që bëri mijëra kilometra për të ardhur e votuar e do të mbahet në mend për shumëçka”, tha Kurti.

Ai gjithashtu ka falënderuar edhe shumë kategori institucionale e shoqërore për angazhimin në zgjedhje, pa harruar edhe oponentët politik për të cilët edhe uroi që të kenë reformë të suksesshme.