Foto: ZKM
Kurti nga Pokleku: Masakra e Poklekut është dëshmi e gjallë e gjenocidit të Serbisë edhe sot e kësaj dite
Tre krerët institucional, presidentja, Vjosa Osmani, kryekuvendari, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti sot morën pjesë në përkujtimin e masakrës në Poklek të Drenasit.
Ata bënë homazhe dhe vendosen lule në 24-vjetorin e masakrës në këtë fshat.
Përmes një njoftimi, Kurti citohet të ketë thënë se masakra e Poklekut është dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë.
“Nuk ka mjaftuar vrasja, por ka pasuar edhe djegia e kufomave, që do të thotë se plani ka qenë për shfarosje jo vetëm të jetërave, por edhe të qenies. Andaj, masakra e Paklekut është dëshmi e gjallë e gjenocidit të Serbisë edhe sot e kësaj dite”- tha kryeministri Kurti.
Tutje, Kryeministri Kurti theksoi se në muajin e ardhshëm bëhen katër vjet prej se në Kuvendin e Republikës, është mundësuar që Prokuroria e Shtetit, që prokurorët special, të ndjekin e më pastaj sistemi i drejtësisë edhe të gjykojë në mungesë kriminelët serbë.
“Pra, në muajin e ardhshëm bëhen katër vjet që ekziston një mundësi e tillë. Dhe për këto krime të kryera gjatë luftës që janë edhe gjenocid, edhe krime kundër njerëzimit, edhe krime lufte, do të duhej të ketë drejtësi për viktimat, por edhe dënim shtetëror e ndërkombëtar për ata që i ekzekutuan dhe ata që i urdhëruan ato”- tha ai.
Në komunikatë tutje potencohet se pas homazheve, Kryeministri Kurti vizitoi shtëpinë muze, ku më 17 prill të vitit 1999, 24 vjet më parë, forcat serbe vranë 54 qytetarë të pafajshëm. 25 prej të vrarëve ishin nën moshën 18 vjeçare. Prej këtyre, 18 persona kanë qenë fëmijë, më të vegjël se 12 vjeç. Në mesin e tyre pesë foshnje prej gjashtë muaj e deri në dy vjeç. Lirie Muqolli ishte vetëm gjashtë muajshe.
Familjarët e mbijetuar rrëfyen se si civilët shqiptarë, të familjeve Muqolli, Elshani, Caraku e Hoxha, ishin duke u larguar prej shtëpive të tyre, por policia serbe i urdhëroi të ktheheshin atje, i gjuajti me bomba dore në dhomat ku ata po rrinin, e më pas edhe me breshëri automatikësh. E në fund, edhe i dogji trupat e tyre, të cilët në pamundësi të identifikimit janë varrosur në një varr të përbashkët.
24 vjet nga masakra në dy fshatrat e Drenicës, Poklek dhe Çikatovë e vjetër