Kurti: Në Bruksel kërkova ndëshkimin dhe sanksionimin e Serbisë për sulmin e 24 shtatorit
Kryeministri Albin Kurti gjatë raportimit para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, tregoi se çka kërkoi në takimin me Olaf Scholz, Emmanuel Macron e Giorgia Meloni në Bruksel.
Kurti tha se ka kërkuar që të bëhet ndëshkimi dhe sanksionimi i Serbisë për sulmin terrorist të 24 shtatorit. Sipas tij, mosndëshkimi bëhet inkurajim për përsëritje të aktit.
“Kërkova të bëhet ndëshkimi dhe sanksionimi i Serbisë për sulmin terrorist ndaj Kosovës [24 shtator 2023] pasi mosndëshkimi bëhet inkurajim për përsëritje. Pra, sulmi na ka ardhur nga ana tjetër e kufirit, i cili nuk është mjaftueshëm i kontrollueshëm e i mbrojtur, ndërkaq kërkesën për sanksione dhe për ndëshkim e kemi për hir të mospërsëritjes. Nuk dëshriojmë që të na përsëritet kurrë më ajo më 24 shtator, dhe nuk shohim se si mund ta parandalojmë përsëritje pa ndëshkim dhe sanksione ndaj Serbisë” – ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten e javës së kaluar, kanë mbajtur takime të ndara me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Më 24 shtator 2023, një polic i Kosovës mbeti i vrarë nga sulmi i grupit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.