Foto: KALLXO.com

Kurti: Me qasjen e LDK-së ‘merre ose lëre’ nuk mund të arrijmë marrëveshje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit të sotëm me LDK-në ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e Quint-it, ka deklaruar se nuk ka përafërim të pozicioneve nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas tij, LDK po insiston në propozimin e tyre të vjetër të datës 8 janar.

Kurti në konferencë për media ka thënë qe nuk mund të ketë përafrim të njëanshëm dhe me qasjen “merre ose lëre” nuk mund të arrihet marrëveshje.

“Takimi ishte i gjatë meqenëse gjysma e takimit ishte përkthim për ambasadorët e QUINT-it dhe shefen e BE-së në Kosovë. Unë i falënderoj të gjithë ata për pjesëmarrje, që u janë përgjigjur ftesës sime, në mënyrë që për së afërmi të jenë të njoftuar me zhvillimet e fundit meqenëse interesimi i tyre është i madh. Në vend që të takohemi secili prej nesh ndaras, kishim një shancë të mirë që të takohemi të gjithë bashkë. Nuk ka përafërim të pozicioneve nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ata insistojnë në propozimin e tyre të vjetër të datës 8 janar. Ne kemi bërë edhe dy propozime të tjera prej se e kemi dërguar emrin tim te Presidenti i Kosovës si person për Kryeministër të ri – janë propozimet e datës 24 janar dhe 27 janar”, ka thënë Kurti.

“Unë përpjekjet nuk i ndali në shndërrimin e ndryshimit politik të 6 tetorit në ndryshim institucional në Republikën e Kosovës. Populli e ka thënë fjalën e vet, interesimi dhe gatishmëria ime kurrë s’ka qenë më e madhe për marrëveshje. Është e vërtetë që na kanë ngelur vetëm edhe një javë. Me vullnet të mirë dhe me punë të palodhshme, pa u kursyer, pa rezerva për asnjë gjë, kam qenë i hapur që të arrijmë marrëveshje, por, po them edhe njëherë, nuk mund të ketë marrëveshje me përafrim të njëanshëm. Afrimi i pozicioneve duhet të jetë i dyanshëm”, u përgjigj Kurti sa i përket vazhdimit të takimeve me LDK-në.

Kallxo.com ka raportuar për zhvillimet pas takimit mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës bashkë me ambasadorët e shteteve të Quint-it dhe shefen e zyrës së BE-së në Kosovë.