Albin Kurti, Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Kurti: Kosova ka pasuri të jashtëzakonshme kulturore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë Kosova ka pasuri të jashtëzakonshme kulturore.

Kryeministri dha këtë deklaratë në Ditën Ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim duke shtuar se respektojnë “diversitetin kulturor, promovojmë historinë e identitetin, mbështesim zhvillimin e paqen”.

“Në ditën ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim njohim dhe vlerësojmë pasurinë e shumëllojshme të shtetit tonë, dhe rolin e saj në promovim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”- ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, Kosova ka një pasuri të jashtëzakonshme kulturore, llojllojshmëria e së cilës sot shprehet në formë të krijimtarisë materiale dhe shpirtërore, e trashëguar nga e kaluara jonë.

“Përfitimet për shoqërinë nga mbrojta e trashëgimisë kulturore janë të shumta. Kemi restauruar dhe vazhdojmë të restaurojmë xhami, hamame, teqe, kisha katolike, kisha ortodokse, zona historike, kulla e shtëpi tradicionale, mulli, ndërtesa historike e publike për të promovuar harmoninë ndër-fetare si vlerë universale të shoqërisë sonë dhe historinë tonë të pasur kombëtare e shoqërore”- ka shkruar ai.

Sipas tij, shumë punë janë bërë dhe akoma më shumë punë na presin në fuqizimin e muzeve publik ku ruhen dëshmitë materiale të lashtësisë, dhe pasqyrohen traditat e vlerat e trashëgimisë shpirtërore kulturore të popullit tonë.

“Vazhdojmë me gërmime profesionale në lokalitetet tona arkeologjike, ndërsa ato po i bëjmë edhe me plane e njësi menaxhimi për t’i pritur më mirë vizitorët dhe edukuar më drejt fëmijët e të rinjtë tanë.  Kemi bërë hapa të mëdhenj për të dalë nga periudha e emergjencave. Objektivi ynë i radhës është menaxhimi dhe funksionalizimi i aseteve të trashëgimisë kulturore”- ka shkruar ai.

E mbajtur çdo vit më 21 maj, Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim feston jo vetëm pasurinë e kulturave botërore, por edhe rolin thelbësor të dialogut ndërkulturor për arritjen e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli për herë të parë këtë Ditë Botërore në vitin 2002, pas miratimit nga UNESCO të Deklaratës Universale mbi Diversitetin Kulturor në vitin 2001, duke njohur nevojën për të “rritur potencialin e kulturës si një mjet për arritjen e prosperitetit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe bashkëjetesës paqësore globale”.