Kurti i drejtohet deputetes Bajrami: Po flisni si votuese e imja

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Hykmete Bajrami, tha se Qeveria Kurti 2, i ka fituar zgjedhjet në bazë të deklaratave dhe akuzave që i kanë bërë për të tjerët.

“E kam një pyetje a i keni ditë gjitha këto kur në 2019 keni premtu ulje të çmimit të energjisë, a e keni ditur gjendjen në sektorin e energjisë. U tha më herët nga deputetja Kusari që ne nuk duhet me ju gjykuar juve bazuar në ato deklarata. Po bazuar në deklarata, e protesta, e akuza që ju i keni bo tjerëve ju i keni fituar 51 për qind. Ku janë sot premtimet që i keni dhënë për uljen e çmimit të energjisë elektrike. A i keni ditë më herët këto informacione që po i thuani sot”, tha Bajrami.

Kryeministri Albin Kurti tha se Bajrami është duke folur si votuese e tij.

“Zonja Hykmete Bajrami ju po flini si votuese e imja që nuk ua kom mbajt premtimin. Programi jonë është shumë i qartë prej 2013 ne jemi angazhuar përveç se kemi pas qëndrim kundër privatizimit të shpërndarjes e furnizimit. Por edhe për rivitalizimin e Kosovës A të termocentraleve të Kosovës A. Unë nuk kam thënë se do të ulen çmimet e energjisë elektrike ditën kur do të bëhem kryeministër. Në të kaluarën ka pas tarifa nxitëse të cilat e kanë rrit çmimin e energjisë elektrike”, tha Kurti.

Kurti tha se çka kanë bërë qeveritë e kaluar për 20 vite nuk mund ta rregulloj për 10 vite.

“Ne kemi parapa para 10 vjetëve kur ka qenë shumë më kollaj ndërtimin e B3 dhe B4 ku e kanë vendin fizik hapësinor në termocentralin Kosova B. Të gjitha këto ne i kemi parapa, nuk mundem me ja u bo për 10 muaj. Çka s’keni bo ju mirë për 20 vjet e çka keni bo keq për 20 vjet unë s’mundem m`i bo mirë për 10 muaj për besë kisha dashtë më shumë se ju por nuk mundem”.

Bajrami ka përmendur edhe aktakuzën e Kusari Lila gjatë kohës sa drejtonte ministrinë.

“Sa herë që Kusari del të flas për qeveritë e kaluara për sektorin e enerrgjisë ajo duhet me ditë se ka akuzë për korrupsion për rastin e distribuimit, bile ajo është për privatizim të hidrocentraleve”, tha ajo.

Kurari Lila iu kundërpërgjigj se “Bajrami e ka si hobi dhe sa herë ta merr fjalën kur ka zhvillime ta përmend aktakuzën time”.

Kurse, Bajrami shtoi se nuk ka asgjë personale me Kusari Lila.

“S`kam asgjë personale me Kusari Lila”, tha ajo.