Kurti e Rashiq takojnë zyrtarët komunalë për kthim e komunitete, japin detaje për mbështetjen buxhetore

Nën organizimin e Zyrës për Çështje të Komuniteteve të Zyrës së Kryeministrit, kryeministri Albin Kurti dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, kanë takuar zyrtarët komunalë për Komunitete dhe Kthim.

Kurti ka bërë të ditur se janë ndarë 3 milionë euro në buxhetin për komunitetet joshumicë.

“Për të qenë sa më afër popullit na duhen strukturat dhe individ të angazhuar në nivel lokal andaj ju jemi mirënjohës që keni qëndruar pranë qytetarëve tanë. Ne kemi vazhduar të rrisim mbështetjen për të gjithë qytetarët, kemi ndarë 3 milionë euro në buxhetin për komunitetet joshumicë”- tha Kurti.

Derisa, ministri për Komunitete dhe Kthim Nenad Rashiq ndau detaje për projektet që do financohen.

“MAPL ka ndarë 1 milion euro për projekte infrastrukturore veçanërisht për komunitetet, MMPHI ka identifikuar 29 projekte, 9 prej të cilëve janë për komunitet jo shumicë. Për bashkëpunim ndërmjet komunave për komunitetet kemi si shembull linjën e autobusëve nga Prishtina- Kishnicë- Graçanicë”- ka deklaruar Rashiq.

Rashiq po ashtu potencoi edhe rëndësinë që qytetarët e komuniteteve jo shumicë të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë.

“Një nga mundësitë dhe obligimet që ofrohet tani është regjistrimi i popullsisë që pritet të fillojë në nëntor, kjo është mundësi që ofrohet për komunitetet dhe të gjithë qytetarët. Çdo shtëpi, banesë, familje, biznes ka të drejtë të regjistrohet me përkatësinë e tij etnike, prandaj është e rëndësishme që ti informoni qytetarët përse është e rëndësishme të marrin pjesë në regjistrim”- shtoi ai.

“Kam ardhur të dëgjoj prej juve , për juve, dhe për vendin tonë”- shtoi ai.

Rashiq theksoi se me fondin shtesë do jenë më afër njerëzve e do ketë zhvillim ekonomik.

“Nga muaji shkurt për herë të parë kemi shpallur thirrje publike për të gjitha subvencionet që ndajmë, renovim, material ndërtimor. Kemi arritur një nivel të madh të transparencës ku kemi pasur 3,500 aplikues. Kemi arritur tek një fond shtesë që ka të bëjë me një fond për zhvillim ekonomik që është i nevojshëm, me këtë fond 3 milionësh ne kemi arritur të jemi afër njerëzve, të bashkohemi me njerëz në mënyrën më të mirë të mundshme”- shtoi ai.

Rashiq theksoi se është aty të bisedojë për secilin rekomandim.