Kurti e Konjufca mblidhen në qeveri për të diskutuar për Projektligjin për Liritë Fetare

Kryeministri Albin Kurti së bashku me kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca janë bërë bashkë mëngjesin e sotëm në një dëgjim publik për projektligjin për Liritë Fetare.

Në këtë organizim ishte njoftuar se do të marrë pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani, por momentalisht ajo nuk është prezentë.

Prezentë në këtë takim janë përfaqësues të grupeve fetare në Kosovë.

Në anën tjetër, liderët shtetëror ende nuk janë deklaruar për situatën në veri, ku në orët e vona të ditës së djeshme, një zyrtar policor ka mbetur i plagosur nga të shtëna armësh në Zveçan.

Po ashtu, në orët e para të mëngjesit, ekipi i KALLXO.com deri sa po udhëtonte me makinën e zyrës në drejtim të Mitrovicës së Veriut është sulmuar nga një grup i personave të maskuar të cilët po qëndrojnë në udhëkryqin e kësaj lagjeje.

Sulmuesi ka goditur me grushte makinën ndërsa mjete të forta janë hedhur edhe nga pjesëtarët e grupit.

Dy gazetarët kanë arritur të shpëtojnë pa lëndime fizike duke u larguar me shpejtësi në drejtim të zonave të tjera të Mitrovicës.

Në pamjet që janë kapur shihet personi duke vrapuar në drejtim të veturës, e që i njëjti edhe ka goditur automjetin.

AGK janë shprehur të shqetësuar lidhur me sigurinë e gazetarëve pas këtij sulmi.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar për sigurinë e gazetarëve, pas sulmit këtë mëngjes të një ekipi të Kallxo.com në veri të Mitrovicës”- thuhet nga AGK.

Vetura në të cilin po udhëtonin gazetarja, Shkodrane Dakaj dhe producenti Valdet Salihu u sulmua nga një grup i maskuar i serbëve, në afërsi të Shkollës Teknike.

Nga mbrëmë Mitrovica e Veriut është në tensione pas vendosjes së pjesëtarëve të policisë në këtë zonë.